Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, tha sot se Bashkimi Evropian pret që Serbia dhe Kosova të arrijnë një kompromis në dialog deri në prill të këtij viti, kur janë caktuar zgjedhjet lokale në komunat në veri të Kosovës.

“Është shumë e rëndësishme që të mos kemi përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve. Është shumë e rëndësishme për ne dhe për të gjithë komunitetin evropian të shohim se të dyja palët janë vërtet të përkushtuara për të gjetur një kompromis përpara zgjedhjeve lokale të prillit. Është e rëndësishme të bëjmë gjithçka për të normalizuar situatën dhe dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë”, ka thënë Fajon.

Ajo ka theksuar se ka marrë garanci nga politikanët e Prishtinës se janë të gatshëm që sa më parë të fillojnë bisedimet në bazë të propozimit franko-gjerman.

Fajon shtoi se nga palët kërkohet edhe zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu i mëparshëm, përfshirë edhe atë për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.

“Dialogu duhet të vazhdojë dhe të gjitha marrëveshjet duhet të përmbushen, duke përfshirë edhe formimin e ZSO. Kjo është shumë e rëndësishme në javët, muajt e ardhshëm. Për këtë arsye kam ripërsëritur qëndrimet se autoritetet e Kosovës dhe sigurisht edhe Serbia duhet të bëjnë gjithçka për të normalizuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm”, tha Fajon.

E pyetur për dokumentet jozyrtare që flasin për ndarje dhe shkëmbim territoresh, të cilat më herët janë publikuar në Slloveni, Fajon tha se diskutime të tilla janë të rrezikshme dhe kundër vlerave evropiane.

“Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të finalizojnë marrëveshjen, veçanërisht marrëveshjen e Brukselit nga viti 2013, e cila ka shumë pika që duhet të përmbushen. Zgjedhjet janë disa javë larg dhe u përpoqa t’i inkurajoj dhe bind autoritetet e Kosovës që vërtet kujdesen për komunitetet dhe komunat serbe, që qytetarët të ndihen të sigurt, që të mos kenë frikë nga autoritetet e Kosovës”, tha Fajon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb