Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është shfaqur këtë të shtunë në krah të kryeministrit Edi Rama, në një takim në Dibër, me kandidatin e PS në këtë zonë për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Mes të tjerash, Bushati iu ka bërë thirrje të rinjve e të rejave që të bëhen pjesë e PS, pasi sipas tij, kjo do të zhvillonte më tej shoqërinë tonë. “Ne e kemi domosdoshmëri jetike një kulturë të re politike, që fillon nga PS, duke qenë se jemi partia më e madhe. Frika jonë më e madhe nuk duhet të jenë kundërshtari”, tha ish-ministri Bushati.

“Rivali jonë kryesor është i padukshëm, dhe rivali i padukshëm është gjithmonë raporti që PS duhet të fitojë me kohën për të qenë pararojë e zhvillimeve. Qytetarët duhet ta kenë sa më shumë të brumosur përkatësinë politike, tamam si një familje, siç i ka rregullat dhe familja jonë, ku shpirti i skuadrës është i rëndësishëm, por mbi të gjitha boshti i ideve që ne përçojmë. Nuk ka gjë më të bukur se të përfshish në skuadër figura të reja. Kjo është arsyeja pse ne i bëjmë këto takime, pasi politika është koncept shumë i gjerë. Falë politikës po bëhet dhe ky investim kaq i madh për Rrugën e Arbrit, që do të lidhë gjithë këto treva më shpejt me kryeqytetit, si dhe do të rrisë zhvillimin ekonomik. Meqë jemi në veri, më duhet të them që ne si PS kemi përgjegjësi shumë të madhe, pasi përgjegjësia që ne kemi për vendin është më e madhe se mundësitë. Kur vjen puna te veriu, dhe unë sot u mrekullova me pjesën e përfunduar të Rrugës së Arbrit, pasi është shumë e rëndësishme që prnaia jonë në veri të jetë më e madhe, për shkak edhe të hendekut që ekziston. Unë jam shpresëplotë se me këto investime, me këtë përkujdesje, ne do të kemi mundësi për të pasur një mirëqenie më të madhe këtu.

Së dyti, dua t’i japim zë idesë që të kemi më shumë besim te vendi ynë dhe tek atdheu ynë. Dëgjojmë shumë që ata që mbarojnë shkollën duan të ikin. Edhe unë kam qenë një prej tyre, kur Rama insistonte që unë të isha pjesë e PS, më dukej sikur do i jepja fund lirisë sime. Unë do doja të jepja shembullin e Ulsit, që është një profesionist, është një nga juristët më të mirë e më të zotët që unë njoh, por që sot përfaqëson me dinjitet zonën nga vjen. Pra, ekziston gjithnjë mundësia që atë që ke akumuluar ndër vite falë shkollimit, ta japësh për më të mirën e shoqërisë. Kjo është arsyeja që mendoj se një përfshirje më e madhe e juaja në PS, do ta pasurojë mozaikun tonë nga pikëpamja e vlerave, ideve, si dhe do t’i sillte një zhvillim më të mirë vendit e shoqërisë.

Së treti, situata e vështirë që sot po ndjekim të gjithë në Evropë, apo për rendin e sigurisë Evropiane, duhet të na bëjë krenarë. Kjo shihet në kontributin e qeverisë shqiptare në çdo aspekt, larg qoftë edhe në atë ushtarak. Është momenti që këto vlera e këtë përkatësi të qartë evropiane ne ta demonstrojmë të gjithë së bashku për të mirën e vendit. Ne kemi humbur shumë kohë në të kaluarën, ndaj e kemi të domosdoshme të bëjmë punë me cilësi e shpejtësi te vlerat e përkatësia jonë.

Së fundi, është besimi për politikën, jo besimi për politikanët. Ua qaj hallin kur shihni në studio televizive se më shumë ka prokurorë e gjyqtarë, se sa politikanë. Ne e kemi domosdoshmëri jetike një kulturë të re politike, që fillon nga PS, duke qenë se jemi partia më e madhe. Frika jonë më e madhe nuk duhet të jenë kundërshtari. Ne duhet të bëhemi promotorë të një kulture të re politike, që e zhvillon vendin, që shkon përtej llogoreve politike, dhe për t’i dhënë shqiptarëve në shekullin e 21 atë që ata realisht meritojnë. Dibra e di që e kupton fare mirë këtë mesazh dhe do vazhdojë rrugën e transformimit, duke zgjedhur më 6 mars kandidatin tonë”, tha Bushati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb