Kryeministri Edi Rama uroi sot studentët për nisjen e vitit të ri akademik 2023-2024.

Rama u uroi suksese mbi 121 mijë studentëve, që ulen për herë të parë në auditore dhe atyre që nisin sot vitin e ri akademik në universitet tona.

Rama ndau një video ku Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, u është drejtuar me një mesazh urimi studentëve dhe pedagogëve.

Së bashku me Ministren Manastirliu, kanë uruar bashkëmoshatarët e tyre edhe dy nxënëse të ekselencës që nisin sot universitetin, Anja Xifaj, e cila do të ndjekë studimet për arkitekturë dhe Airin Shestani, e cila do të ndjekë studimet për Inxhinieri Informatike.

“Sot nis një kapitull i ri në jetën e mbi 121 mijë studentëve në universitetet tona. Për mbi 20 mijë prej studentëve, ky është viti i parë. Kalimi nga gjimnazi në universitet shoqërohet me kaq shumë ndryshime, nis një etapë e re e jetës.

Duhet kujtuar gjithmonë se dija është çelësi që i bën ëndrrat tuaja realitet, ndaj ky vit është fillim i ri. Një rrugëtim me mundësi të pafundme nis sot për ju.

Përkushtojuni me energji, me kuriozitet, për të pasur një të nesërme të ndritur, siç ne të gjithë, si prindër, si pedagogë i dëshirojmë për ju! Suksese të gjithëve”, shprehet ministrja Ogerta Manastirliu në mesazhin e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb