Barazim pa gola mes Dinamos dhe Laçit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të elitës. Dinamovitët ishin mjaft të rrezikshëm në minutën e gjashtë, një krosim i Denisson nuk u shfrytëzua si duhet nga Zabërgja, i cili dërgoi topin jashtë. Vila shkaktoi drithërima në stadium në minutën e 33-të me një diagonale, gjithsesi arbitri sinjalizoi pozicion jashtë loje. Kurbinasit qëndruan në pritje dhe  preferuan të luajnë me kundërsulme, të paktën në pjesën e parë.

Ekipi i Armando Cungut ndryshoi fytyrë në fillimin e pjesës së dytë. Mjaki provoi një top për Sobouejll në brendësi të zonës, gjyqtari e konsideron offside. Të besuarit e Mehmetit “flirtuan” me golin në të 69-tën, topi i doli me fat Vilës, por nga fare pranë, nuk realizoi dot. Presioni i shtuar i Dinamos nuk prodhoi gol, me të dyja skuadrat që u detyruan të pajtoheshin me nga një pikë.

Dinamo shkon kështu në kuotën e 47 pikëve dhe mbetet në top-4, të paktën për momentin.  Në krahun tjetër, Laçi i vendit të shtatë ka 39 pikë.

Skënderbeut i mjaftoi goli i Janaqit për të marrë 3 pikë ndaj Erzenit, në përballjen e luajtur në Korçë.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb