Dinamo bën një tjetër goditje të rëndësishme në merkaton e janarit, duke forcuar mesfushën me brazilianin Denison Silva. Me këtë lojtar, siç gazeta ka bërë me dije ditë më parë, ishte arritur akordi, por situata para firmosjes së kontratës u vështirësua për shkak se Denison nuk kishte marrë ende dokumentacionin nga Drenica në Kosovë, ku ka luajtur së fundi.

Tashmë gjithçka është zgjidhur në këtë drejtim nga ana e brazilianit. Ai ka bërë zgjidhje të njëanshme të kontratës me Drenicën, sipas procedurave përkatëse, duke qenë se kishte disa muaj pa u paguar.

Gazeta mëson se Denison ka firmosur për një vit e gjysmë me Dinamon dhe mendohet të jetë një “armë” plus në gjysmën e dytë të këtij sezoni dhe sezonin tjetër me karakteristikat që ka.

Bledar Devolli, ndihmëstrajneri i Dinamos prej pak kohësh, e njeh mirë këtë futbollist që nga koha kur ka drejtuar Drenicën. Ai dhe drejtuesit e tjerë blu janë të bindur se kanë bërë një përforcim me vlera.

Denison, 24 vjeç, luan thuajse në të gjitha pozicionet në mesfushë, qoftë në krahë dhe pas sulmuesit kryesor. Trajneri Bledi Shkëmbi me siguri e llogarit si sulmues krahu, një rol që ai ka kërkuar ta përforcojë në këtë sesion të merkatos.

Futbollisti brazilian u stërvit për dy ditë me blutë dhe tashmë do të bashkohet përfundimisht me ta, duke u bërë afrimi i dytë zyrtar, pas Sabien Lilajt.

Denison, përveç kampionatit kosovar, ka luajtur edhe në Portugali me Bragën B. Deri në fundjavë pritet që me Dinamon të bashkohen edhe mbrojtësi kamerunas Olivier Kingue, si dhe sulmuesi Arturo Rexhinaldo, duke plotësuar kështu katërshen që trajneri Shkëmbi kishte planifikuar për përforcimin e skuadrës në merkaton e janarit.

Edhe me këta futbollistë akordi është arritur prej ditësh, por vonesa ka të bëjë me procedurën e vizës./panorama sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: