Në Shqipëri, policia ka arrestuar mbrëmjen e së premtes ish-zyrtaren Alda Klosi në banesën e së cilës dyshohet se në muajin dhjetor, u vodhën mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë nga Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në një banesë të marrë me qira prej Klosit. Së bashku me pastruesen, u arrestua dhe djali i saj Havier Dobi, i dyshuar se kishte bashkëpunuar me nënën e tij në grabitjen e shumës së parave dhe Havier Dobin.

Nga të dhënat e para mësohet se kanë qenë disa deklarime të bëra nga Dobi në polici, që kanë çuar në arrestimin e Klosit nën dyshimet për “pastrim parash”. Mbetet për t’u parë nëse çështja do të mbetet në Prokurorinë e Tiranës, apo do t’i kalojë Prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, meqenëse zonja Klosi ka mbuluar funksione të larta në administratë.

Ngjarja tërhoqi vëmendje më së shumti për faktin se si një sasi prej më shumë se 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarësh gjendeshin cash në shtëpinë e zonjës Klosi. Dyshimet mbi rastin u shtuan, pasi zonja Klosi ofroi dy deklarime të ndryshme mbi paratë e vjedhura. Ditën kur ndodhi grabitja në banesën e saj ajo deklaroi në polici se i mungonte vetëm i mungonte një sasi parash që nevojiteshin për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme. Dhe vetëm 3 javë më pas, në 7 Janar, kur u arrestua Rozeta Dobi, ajo befas njoftoi se kishte konstatuar se i mungonin mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë që sipas saj i kishte marrë nga xhaxhai i saj, për t’u kujdesur për shtëpinë dhe djalin e tij, ndërkohë që ai ishte për kurim në SHBA. Xhaxhai i Klosit, një dentist i njohur në kryeqytet, ndërroi jetë pak kohë më pas në Shtetet e Bashkuara.

Ngjarja mori përmasa dhe më të mëdha, kur një kontroll i dytë në banesën e Rozeta Dobit, e cila prej vitesh punonte si pastruese në shtëpitë e personave të ndryshëm, zbuloi dhe 404 mijë euro të tjera, të cila dyshohet që po ashtu të jenë të vjedhura. Deri më tani, nuk rezulton që të ketë pasur denoncime nga persona të tjerë, për zhdukjen e këtyre parave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb