NGA ERJON SKËNDAJ*
TIRANE- Shqipëria nuk është më një nga vendet me prevalencën më të lartë në Europë të përhapjes në popullatë të hepatitit B dhe C, sikundër faktohej në fillim-vitet ‘90. Në këtë përfundim ka arritur Instituti i Shëndetit Publik i cili ka bërë publike të dhënat më të fundit në lidhje me këtë virus.

“Numri i rasteve me prevalencë të Hepatitit B ka pësuar një rënie, po të kemi parasysh që Shqipëria ka qenë një nga vendet me prevalencë më të lartë në Evropë, por vazhdojmë të kemi një lloj stabilizimi në lidhje me Hepatitin C. Prevalenca e hepatitit B vlerësohet në shifrën e 7% nga më shumë se 25% në fillim të viteve 90, ndërsa përhapja e hepatitit C në popullatë konsiderohet 2 % dhe në grupet e riskut shkon në 30%”, tha Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino.

Në ditën botërore të hepatiteve apeli i mjekëve drejtuar popullatës është diagnostikimi në kohë i virusit përmes analizës së gjakut që mund të çojë në frenimin të sëmundjes përmes mjekimeve.

“I bëjmë thirrje të gjithë popullatës të testohet për Hepatitin B dhe C, për vetë faktin se për to duhet të ketë kujdes shëndetësor, dhe natyrisht ka një mjekim i cili mund ta frenojë sëmundjen”, tha Bino.

Apelit të bluzave të bardha në këtë ditë i është bashkuar edhe ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj.
“Këto aktivitete i bëjnë thirrje qytetarëve për ndërtimin e një komunikimi më aktiv me institucionet shëndetësore për të ndihmuar në parandalimin, apo diagnostikimin në stad sa më të hershëm të kësaj sëmundjeje. Në vitet e fundit, Shqipëria ka bërë përparim shumë të ndjeshëm, praktikisht në moshat 0-18 vjeç, ne kemi prevalencë zero, ndërsa për grupet e riskut kemi një shkallë vaksinimi rreth 98%, por besojmë se është e domosdoshme që kjo të shtrihet në të gjithë popullatën. Gjithashtu, vitet e fundit kemi përfshirë në skemat tona të mjekimit edhe në listën e rimbursimit, përfshirë edhe barnat e shtuara në 2015, barna të reja, të cilat janë në gjendje të mjekojnë me efektivitet ato raste kur sëmundjet kapen në stade të hershme”, tha Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Në kuadër të aktiviteteve ndërgjegjësuese në këtë ditë dhe gjatë gjithë javës në vijim, Instituti i Shëndetit Publik ka nisur testimin vullnetar të virusit të hepatitit në tre qendra shëndetësore të Tiranës dhe në disa QSH në Korçë, Vlorë dhe Elbasan.

HEPATITI
Hepatiti viral konsiderohet si një “epidemi e heshtur”, dhe bën pjesë në grupin e sëmundjeve infektive të mëlçisë njohur si hepatiti A, B, C, D dhe E). Edhe pse mbartës të saj shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se janë të infektuar derisa përballen me forma akute dhe kronike të mëlçisë.

Sipas një studimi të publikuar nga ISHP në vitin 2013 rezultonte se, rreth 250 mijë persona në Shqipëri janë të infektuar nga virusi i hepatitit B dhe 30 mijë të tjerë të infektuar nga virusi i hepatitit C.

Virusi B gjendet në gjak dhe përhapet nga kontakti seksual, nga nëna shtatzënë tek fëmija, transfuzionet e shpeshta të gjakut apo shiringat dhe aget jo sterile. Personat e prekur nga virusi B mund të jenë thjesht bartës të tij, ndërsa përshkallëzimi i sëmundjes çon në hepatit kronik, cirroze apo kancer të mëlçisë.

Në të njëjtat rrugë merret edhe virusi i hepatitit C, i cili haset më pak se hepatiti B, kryesisht tek grupet e riskut si, përdoruesit e drogave, njerëzit që bëjnë seks të pambrojtur me më shumë se një partner. Në 80 % të personave të prekur ky virus shkakton hepatit kronik dhe 5-20%, prej tyre mund të paraqesin cirrozë apo kancer të mëlçisë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: