NGA OLA MITRE*

Dita e Biodiversitetit erdhi ndryshe këtë vit në restorant “Rapsodia” në Lezhë. Një festë që vendosi në qendër natyrën përmes ndërthurjes së artit dhe kulinarisë, u shndërrua për 4 orë në argëtim për të gjithë të pranishmit. Eventi u ideua dhe realizua në detaje nga agjencia “Idea Event”, ndërsa pati mbështetjen e veçantë të “Birra Korça” dhe ujit natyral “Fab”. Përfaqësuesit e kompanisë mirëpritën menjëherë kërkesën e organizatorëve për të mbështetur këtë aktivitet të rëndësishëm, duke u bërë kështu pjesë e mesazhit në mbrojtje të biodiversitetit.

Eventi këtë vit mblodhi bashkë veprat e 10 piktorëve të nderuar shqiptarë, të cilat më pas u shndërruan në frymëzimin kryesor për shefin e kuzhinës Alfred Marku për të gatuar 10 pjata, që kishin në qendër natyrën. 10 pjata ndryshe nga ato që jemi mësuar të shikojmë e shijojmë zakonisht, të zhvendosura nga e zakonshmja e të ngritura mbi elementë natyrorë, si: guri, tjegulla e mbi të gjitha lulet.

Në fjalën e tij përshëndetëse, shef Marku falënderoi të pranishmit e në veçanti të gjithë ata që mbështetën realizimin e këtij eventi, duke përfshirë këtu edhe “Birrën Korça” e ujin “Fab”. “Dua të falënderoj të gjithë ata që mbështetën organizimin e Ditës së Biodiversitetit. Shpresoj që kjo darkë të tregojë sensin e jetës, sepse është shumë e rëndësishme. Mendoj se nuk duhet të ikim shumë larg, sepse bukuritë i kemi pranë, këtu në vendin tonë”, – u shpreh shef Marku.

Më pas, të pranishmit u njohën me “paradën” e pjatave të realizuara nën frymëzimin e pikturave, të emrave të njohur të pikturës, si: Ibrahim Kodra, Pashk Përvathi, Helidon Haliti, Artan Shabani, Genti Postoli, Ali Oseku etj. Sipas organizatores së eventit, Ledja Canaj, çdo letër e përdorur në arredimin e ambientit ishte tërësisht ekologjike, duke përcjellë mesazhin se “pa biodiversitet nuk ka jetë dhe se nuk mund ta injorojmë më natyrën”. “Që në konceptimin e këtij eventi, mendova se ambienti do të ishte unik, i personalizuar, i cili do të lidhej në detaje me biodiversitetin. Që në ftesë ne duhej të ishim ndryshe, duke çuar nga një risi te të gjithë të ftuarit.

Aty mendova, që përveç përmbajtjes së zakonshme, të kishte dhe një dhuratë për të ftuarit, që në këtë rast ishte një farë luleje e mirë dhe cilësore. Ambienti u arredua në detaje, duke filluar me vendosjen e një sere me vazo me të gjithë elementët që duhen për të mbjellë një bimë dhe me diçiturën: “personalizo vazon tënde” (zgjidhje lulen, mbille dhe eja ujite te restorant “Rapsodia”). Më pas kishim një stendë me të gjitha ligjet e biodiversitetit. Në atë stendë ishin vendosur edhe pentagrame të rapsodisë më të famshme në botë, që është rapsodia hungareze”, – shpjegon Canaj. Duke iu përshtatur në detaje eventit të titulluar “Shije në telajo”, edhe të pranishmit patën mundësinë të shprehnin talentin e tyre në pikturë. Një telajo gjigante iu vu në dispozicion së bashku me bojërat e penelët e që në fund mori diçiturën “Piktura e 300 artistëve”. Ajo u shit në ankand, ndërsa të ardhurat do të shkojnë për Shtëpinë e Fëmijës në qytetin e Lezhës. Ndërkohë që, mbrëmja kulmoi me servirjen e akullores me shijen e “Birrës Korça”, një desert që shef Marku e kishte përgatitur enkas për këtë rast, i frymëzuar pikërisht nga kjo pije.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb