“Drejtësia është para së gjithash një shërbim për qytetarin dhe për besimin publik.”
Kështu u shpreh gjatë një aktiviteti për Ditën e Drejtësisë, kreu i Gjykatës së Fierit Noel Veizi, i cili tha se sistemi i drejtësisë ka hyrë në rrugën e duhur, por ende ka vend për përmirësim.
Nga mungesa e sallave për mbajtjen e seancave gjyqësore deri te mungesa e zyrave për gjyqtarët dhe dosjet e mbetura stok, kreu i Gjykatës së Fierit renditi disa nga problematikat që hasin gjatë punës së tyre
Sipas tij, çdo vonesë në trajtimin e çështjeve përkthehet në ulje të besimit te qytetarët.
Zëvendësinspektorja e Lartë e Drejtësisë, Elena Peleshi tha se duke garantuar të drejtat e çdo individi, drejtësia kontribuon në pasjen e një shoqërie të drejtë dhe të ekuilibruar.
Ndër të tjera, përfaqësues të Gjykatës së Fierit dhe të ftuarit vunë theksin te bashkëpunimi mes Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës, për të rritur efektivitetin e drejtësisë në një kohë kur pushteti gjyqësor kërkon të përmirësohet për t’iu afruar standardeve europiane. Pjesëmarrës në këtë aktivitet për Ditën e Drejtësisë ishin edhe maturantë nga gjimnazet e Fierit.
