Qëndresa e aktivistëve dhe qytetarëve përpara godinës së Kryeministrisë ka shënuar sot ditën e saj të 114-të radhazi. Përmes fjalimeve të mbajtura në shesh, protestuesit kanë paralajmëruar përshkallëzim të aksionit të tyre, duke thirrur një protestë të madhe përpara Parlamentit ditën e enjte në orën 10:00.
Gjatë fjalës së tij para të pranishmëve, aktivisti Edison Lika theksoi se rezistenca 114-ditore e qytetarëve ka detyruar mazhorancën të tërhiqet apo të hezitojë me nisma të caktuara ligjore, ndërsa kërkoi anulimin e plotë të paketave ligjore që lidhen me pronat dhe investimet strategjike.
“Ditën e enjte në orën 10 të jemi te parlamenti për të kërkuar shfuqizimin e ligjit 21/2024, anulimin e paketës së maleve dhe anulimin për ligjin për investitorin strategjik! Fakti që këta kanë shkuar në parlament është edhe prej rezistencës që ne kemi bërë në 114 ditë,” deklaroi Lika.
Më tej, aktivisti nënvizoi se frika nga reagimi qytetar po krijon përplasje dhe bllokime brenda vetë komisioneve parlamentare.
“Siç u diskutua sot ka mundësi që për shkak se nuk do e kalojnë në komisione parlamentare, ka mundësi që deputetët të bëjnë rezistencë dhe të mos e çojnë në parlament! Kjo tregon se ata kanë frikë nga protesta jonë,” u shpreh ai.
Në përmbyllje, Lika u shpreh i prerë se aksioni qytetar nuk do të ndalet vetëm te rrëzimi i ligjeve kontestuese, por do të vijojë deri në largimin e vetë kryeministrit.
“Ne i jemi vënë këmba pas këmbës qeverisë së Edi Ramës dhe nuk ndahemi te ligjet. Ne do jemi këtu deri në dorëheqjen e qeverisë së Edi Ramës dhe atij vetë!” përfundoi Edison Lika.
