Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PD, Tritan Shehu komentoi në një lidhje skype për News24, procesin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Shehu tha se e sotmja është një ditë e rëndësishme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Deputeti demokrat bëri thirrje që qeveria shqiptare dhe kryeministri Edi Rama duhet të jenë më pranë me Kosovën se sa me Serbinë. Sipas tij, Aleksandar Vuçiç ka plane destruktive në raport me Kosovën dhe kërkon të krijojë Serbinë e Madhe përmes tezës së shkëmbimit të territoreve.

“Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën që të respektohen rregullat demokratike të votimit. Një mesazh që ka shumë rëndësi për rrugën e Kosovës drejt familjes europiane, konsolidimit si shtet i pavarur dhe afrimit me perëndimin dhe drejt përmbushjes së standardeve demokratike nga Kosova vetë. Ka patur një agresion ndaj Kosovës, akuza të pabaza nga pjesa serbe, ruse, që nuk duan ekzistencën e Kosovës së pavarur.  Këto zgjedhje do të konfirmojnë që qytetarët e Kosovës, politika, janë të denjë dhe në parime demokratike të një shteti demokratik dhe europian sot”, u shpreh Tritan Shehu.

Pyetje: Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk përmendet më nga politikanët në Kosovë…
Tritan Shehu: Ka një pjekuri më të madhe të politikës së Prishtinës. Një provë që pati Kosovën në qëndrimet e saj për disa propozime për ribërjen e kufijve në Ballkanin Perëndimor, shkëmbimin e territorreve që mund të sillte konflikte. Kosova diti t’i rezistojë projektit të Vuçiç për Serbinë e Madhe. Ka vetëm një rrugë, rruga e integrimit në BE ku ne do të zhvlerësojmë kufijtë. Ka rritje të pjekurisë dhe perceptimit për integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë në BE. Duke qenë në BE, pavarësissht kufijve që do të ngelin si shenja që do të zhbëhen me kohë, do të ketë hapje të kufijve dhe më shumë bashkëpunim. Te kjo është përfshirë edhe politika e Kosovës dhe është mjaft pozitive, mendoj unë.

Qeveria shqiptare dhe Rama duhet të jenë mik me Kosovën, jo me Vuçiç. Janë sakrifikuar marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë për hir të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi, për të vënë në jetë shkëmbimin e territoreve. Në plan të parë duhet të jetë marrëdhënia miqësore me Kosovën dhe nga kjo të varet raporti me Beogradin.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb