Banorët e Bashkisë Divjakë kanë vijuar protestën e tyre për të 15-tën ditë me radhë në kundërshtim të reformës territoriale, duke kërkuar ruajtjen e autonomisë vendore dhe statusit të Divjakës si bashki më vete.
Kryefjala e tubimit të mbrëmjes së sotme ka qenë mungesa e këshilltarëve në mbledhjen e jashtëzakonshme të këshillit bashkiak, e mbajtur të premten paradite. Protestuesit shprehën revoltën e tyre ndaj këtij veprimi, duke kujtuar se sovraniteti i takon qytetarëve:
“Këshilltarët janë zgjedhur me votën tonë dhe duhet të jenë këtu në mbështetje të qytetarëve, jo të mungojnë në mbledhjet kyçe për të ardhmen e bashkisë sonë!”
Gjatë protestës, qytetarët ironizuan edhe retorikën e mazhorancës mbi të ashtuquajturat arritje të qeverisë, duke theksuar se realiteti me të cilin përballen çdo ditë është rritja e kostos së jetesës dhe varfërimi i mëtejshëm i familjeve.
Protesta e 15-të e banorëve u përmbyll me një marshim përgjatë rrugëve kryesore të qytetit, ku nga turma dëgjoheshin njëzëri thirrjet e fuqishme: “Divjaka Bashki!”
Në mbyllje të marshimit, organizatorët u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen edhe më të shumtë në numër në protestën e radhës ditën e nesërme.
