Dje u bë me dije se është arrestuar në Stokholm të Suedisë djali i ish-kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu. Skënder Shehu është ndaluar bashkë me një person nga Siria në banesën e këtij të fundit, pas një ndërhyrjeje të forcave speciale suedeze, që kapën aty sasi të konsiderueshme hashashi.
Sipas Top-Channel, e cila komunikoi me një korrespondent të sajin në Stokholm, Shehu është arrestuar së bashku me një person tjetër në Solna të Stokholmit, pas operacionit të koduar “Fenix”.

“Njëri nga të arrestuarit është shqiptari Skënder Shehu, djali i Mehmet Shehut. Një numër i madh policësh të armatosur rëndë kanë hyrë në banesën e shtetasit me prejardhje nga Siria”, njoftoi Top Channel.

Sipas të njëjtit burim informacioni, operacioni është kryer rreth një muaj më parë nga skuadra speciale e ardhur enkas nga qyteti i Vesteros.
Shehu akuzohet për prodhim dhe posedim lëndësh narkotike të llojit Marijuanë.

Gazetari Ervin Dushi nga Stokholmi i tha televizionit se Shehu mësohet të ketë mohuar çdo lidhje me lëndët narkotike dhe ka deklaruar se ata ndodhen rastësisht, deklaratë e cila nuk e ka bindur prokurorinë e Stokholmit, e cila ka kërkuar ndalimin e tij.

Skënder Shehu banon prej shumë vitesh në periferi të Stokholmit, së bashku me familjen e tij dhe punonte si mësues në Källskolan në Upplands Bro dhe ishte një figurë e dashur për komunitetin shqiptar në Stokholm.
Shehu kishte studiuar në Suedi, gjatë kohës së diktaturës ai u kthye në atdhe pak para se këtu të fillonte sulmi ndaj familjes së tij, shkak për të cilin dyshohet se u bë fejesa e tij me Silva Turdiun, e cila për sistemin kishte biografi jo të mirë.

Prishja e fejesës vijoi me vetëvrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu dhe persekutimin më vonë të gjithë familjes edhe pse kjo kishte qenë deri atëherë familja më e afërt dhe më e fuqishme pas asaj Hoxha, që prej mbarimit të luftës më 1944.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: