Rreth një vit më parë, Olta Boka u bë nënë për herë të dytë dhe në familjen e saj u shtua djali, Brel. Tashmë Gaia është pesë vjeçe dhe këngëtarja u është përkushtuar plotësisht të dyve për të qenë pranë tyre në vitet e para të fëmijërisë. Në bisedën me “Rudinën” në Tv Klan, ku gjendet krah babait, Reshitit dhe vëllait, Stivit, Olta thotë se po e shijon shumë këtë periudhë me dy fëmijët.

Ajo vëren ndryshime mes tyre në karakter, por edhe në rritje. Me Brelin ka përjetuar edhe një episod shëndetësor pak sfidues, por tani e sheh me mirënjohje për të vlerësuar edhe kënaqësitë e përditshmërisë.

Olta Boka: Mendoj që është një nga periudhat më të mira që unë po shijoj. Kam marrë shumë me vete dhe nuk kam pasur pishmane kur jam bërë mama, si me Gaiën, ashtu edhe me Brelin, por mbi të gjitha faleminderit Zotit që kam mundësi të bëj atë lloj mëmësie për të qenë e pranishme, për të qenë prezente për ta, të paktën minimalisht që unë i mendoj si gur themeli shumë të rëndësishme për fëmijërinë dhe jam duke e shijuar si Gaian, si Brelin.

Rudina Magjistari: Si ka qenë nëse do t’i krahasoje të dy? Si duket djali?

Olta Boka: Në të dy aspektet, si dielli me hënën. Ndoshta edhe mungesa e eksperiencës bënte që t’i shihja ndryshe gjërat me Gaiën, por me një sy të ftohtë karakterialisht janë shumë të ndryshëm, nevojat i kanë komplet të ndryshme, vajza është më emocionale, djali më i pavarur, por nga ana tjetër mendoj që do të kisha vetëm eksperiencën dhe mos të vinin ato dy-tre shqetësime të vogla në fillim të vitit të parë që pata me Brelin, do të kishte qenë shumë vaj, por them që Zoti t’i jep shkallët ngadalë-ngadalë për t’u përforcuar që ti të mundesh të kalosh edhe sfida të tjera.

Rudina Magjistari: Po, por mendoj që imuniteti është gjithmonë delikat në vitin e parë.

Olta Boka: Po, por Breli lindi me refluks të gradës së tretë dhe muajt e parë m’u përkeqësuan në aspektin edhe fizik sepse nuk e ushqeja dot, nuk e ndërroja dot, për të fjetur ishte shumë e vështirë, unë e shtrija mbi trupin tim, në kraharor dhe flija vetëm në një krevat me jastëkë në të dyja anët sepse kisha frikë se mos më binte. Ishte një periudhë paksa sfiduese se gjërat harrohen, por janë ca gjëra të vogla që të thonë kujdes, mos i merr të mirëqena gjërat që ti i gëzon mjaftueshëm në përditshmërinë tënde.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: