Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me fermerët e zonës së Moravës në Berat, prej ku tregoi vizionin e Partisë Socialiste për bujqësinë.

Gjatë fjalës së tij, teksa foli për ato që sipas tij janë arritur deri më tani në këtë sektor, Rama iu drejtua fermerëve, duke iu thënë se “Mund të mos e besoni, por kjo është e vërteta ime. Ju jeni frymëzim, inkurajim i madh për mua. Kur vij e shoh një fabrikë të re, kur shoh njerëz si ju marr një kurajo të madhe”.

Më tej, Rama sulmoi dhe opozitën, teksa u shpreh se me programin e saj se do të ulë sigurimet shoqërore e do të rrisë pensionet, ajo po ua jep sapunin për djathë qytetarëve.

“Një vend me këto mundësi, me pasuri natyrore, me njerëz si ju, ishte lënë në harresë. Sot kemi më shumë se përgjysmuar importet dhe kemi rritur eksportet. Përgjysmimi i importeve do të thotë se produkti vendas është shumë më i pranishëm në tregun vendas dhe shumë më i gatshëm për t’u eksportuar. Ambicia për ta bërë bujqësinë kampione është te realiteti objektiv. Çështja këtu është të realizosh dhe që të bësh këtë është një det i tërë nga e thëna në të bërë. Programet janë fol e fol e për më tepër ka një dallim shumë të madh sot. Sot ne kemi një palë, që ka dalë dhe ju thotë të gjithëve atë që duan të dëgjojnë, kap c’a të kapësh. Më tipikja është ‘do ulim sigurimet shoqërore, do rrisim pensionin’. Domethënë do i japim sapunin për djathë ta hajë kush ta hajë. Por ne nuk mund ta bëjmë këtë, ne jemi qeveria e vendit dhe kemi një program me laps e letër. Edhe ne kemi qenë në opozitë dhe kemi kërkuar votën, duke u bazuar te një dëshirë shumë e madhe për ndryshim. Por tjetër është kur ti del në fushatë e këndon pa pasur asnjë ditë këmbët në ujë, dhe tjetër kur qeveris.

Ne jemi shumë të bindur që së bashku, me të gjithë ata që e duan punën, do ja dalim ta çojmë Shqipërinë në një nivel tjetër. Ju falënderoj për një arsye shumë personale. Mund të mos e besoni, por kjo është e vërteta ime. Ju jeni frymëzim, inkurajim i madh për mua. Kur vij e shoh një fabrikë të re, kur shoh njerëz si ju marr një kurajo të madhe. Unë, bashkë me ju, mund të ngulim një flamur në hartën e historisë sonë dhe ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen tonë, vendin që meritojnë fëmijët tanë. Mua më trondit perspektiva se mund të dalë ndonjë figurë e vogël e të më thotë ‘gjyshi’”, tha kryeministri Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb