Po mbahet dita e 13 e revoltës studentore. Një nga të rinjtë, në një prononcim për News24, ka reaguar ndaj paralajmërimeve të kryeministrit për ashpërsimin e masave ligjore ndaj personave që ushtrojnë dhunë gjatë tubimeve. I riu i cilësoi deklaratat e Ramës si përpjekje për të përhapur frikë te qytetarët, duke theksuar se ndryshimet ligjore duhet të ndjekin procedurat përkatëse dhe nuk mund të bëhen sipas dëshirës së një individi.
“Ato janë strategji shumë të vjetra të manipulimit dhe të nxitjes së frikës te njerëzit. Njëherë e para, për të ndryshuar Kushtetutën dhe ligjet duhet shumë kohë dhe duhet të kalojnë disa procese. E dimë që Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për këto vendime dhe nuk mundet që një njeri të bëjë të gjitha ligjet sipas dëshirës dhe interesit të tij momental”, deklaroi protestuesi.
Ai u ndal veçanërisht te plagosja e rëndë e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, i cili u godit në sy nga një plumb gome gjatë protestës së një dite më parë dhe është nisur drejt Italisë për trajtim të specializuar. Protestuesi e cilësoi joproporcionale dhunën e ushtruar nga policia, ndërsa tha se pamjet e ndërhyrjeve të forcave të rendit po shtojnë zemërimin e qytetarëve.
“Dhuna është totalisht joproporcionale. Imazhet që po shohim mendoj që po nxisin më shumë njerëzit dhe po tregojnë arsyen se përse kjo protestë po ndodh. E di që rasti i djeshëm ka qenë i tmerrshëm”, u shpreh ai.
Kritika të forta i drejtoi edhe reagimit të kryeministrit Rama, i cili deklaroi se ishte angazhuar personalisht për dërgimin e të plagosurit jashtë vendit për kurim.
Sipas të riut, një deklaratë e tillë nxjerr në pah problemet e sistemit shëndetësor shqiptar dhe vështirësitë me të cilat përballen qytetarët që kanë nevojë për trajtim të specializuar.
“Përgjigjja e kryeministrit, duke thënë se është marrë personalisht me individin për ta dërguar për kurim jashtë shtetit, është një përgjigje turpi në vetvete, sepse, e para, ne duhet t’i kishim kushtet në Shqipëri dhe ai duhet të ndiejë turp që nuk janë ato kushte në Shqipëri”, deklaroi protestuesi.
Ai ngriti gjithashtu pyetjen se çfarë ndodh me pacientët e tjerë që nuk kanë mundësi të sigurojnë ndërhyrjen personale të kryeministrit për trajtimin e tyre.
“Dhe e dyta, për të gjithë ata që nuk kanë mundësi kontakti drejtpërdrejt me kryeministrin, si ia dalin? Pacientët e Onkologjikut, familjet që janë nëpër korridoret e spitaleve çdo ditë”, u shpreh i riu.
