Aktivisti Ilir Xhemalaj, në një prononcim për gazetarin e News24, Klevin Muka, u shpreh se protesta e të rinjve është përshkallëzuar dhe se, sipas tij, do të vijojë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Xhemalaj akuzoi qeverinë për provokim të situatës, duke pretenduar se ngjarjet e ditëve të fundit janë pjesë e një skenari të drejtuar nga Kryeministria. Ai dënoi dhunën ndaj protestuesve, duke përmendur rastet e të rinjve të dëmtuar dhe duke bërë thirrje që qytetarët t’u bashkohen protestave.
“Tashmë protesta është përshkallëzuar. Besoj se kjo protestë do të vazhdojë kështu, edhe pse është provokuar nga qeveria, siç ishte rasti i prindërve që dolën me fëmijët në shesh. Skema të tilla bëheshin gjatë gjithë kohës. Është e njëjta regji, e ka qendrën në Kryeministri.
Do të vazhdojmë në këtë rrugë deri në dorëheqjen e Ramës, deri në largimin e tij nga pushteti.
Është dhunë e pranueshme? Si dhuna e viteve ’90, kur ish-sigurimsat rrihnin studentët. Nuk mund të pranohet që studentëve t’u thyhen shtylla kurrizore apo këmbët. Kjo është shenjë që ky pushtet ka rënë. Po bën represion dhe reprezalje masive ndaj fëmijëve. Populli duhet të dalë në shesh”, u shpreh Xhemalaj për News24.
