TIRANË

Qytetarët janë shprehur të pakënaqur me premtimin e kryeministrit Edi Rama për 50 mijë lekë shpërblim duke e cilësuar lëmoshë.

Pensionistë të shumtë kanë telefonuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në News24 duke shprehur shqetësimet e tyre për situatën ekonomike e politike. Ata deklaruan se me pensionin që marrin nuk mund të paguajnë dot as ilaçet dhe jeta është bërë e papërballueshme.

Ndërkohë që ka ardhur sërish një ankesë për Hipotekën e Lushnjës.

“Ju flas për hipotekën e Lushnjës. Nuk marrim dot asnjë dokument. Nuk marrim dot dokumentet e shtëpive tona. Të vihet dorë”, tha një qytetare nga Lushnja.

Të tjerë iu bën thirrje pensionistëve të mos e pranojnë 50 mijë lekëshin.

“Është gjynah që ne pensionistët të shpërblehemi me 50 mijë lekë. Ne kemi punuar gjithë jetën dhe të na japin 50 mijë lekë. Pse kryeministri i ngre rrogat të gjithë pushtetarëve? Iu bëj thirrje pensionistëve mos të pranojnë lëmoshë. Të ngrihemi të tërë, ndoshta s’kemi mundësi për protesta, por të ulemi atje në tokë”.

“Ai 50 mijë lekëshi që thotë kryeministri është lëmoshë. Unë më 50 mijë lekë nuk marr dot ilaçet. pse nuk heq TVSH-në e dritave. Paguaj 1200 lekë për televizionin. Mos t’i marrë TVSH-në pensionistëve. Marr 70 mijë lekë pension, është turp dhe faqe e zezë. Ai po tallet me pensionistët. Ua ngre qeveritarëve rrogën, pse nuk ua ngre pensionistëve”.

Për Çorovodën pati një tjetër ankesë për mospajisjen me dokumente për pronën.

“Nuk marrim dot një përgjigje për tokat dhe shtëpitë. Nuk na japin asnjë përgjigje. Është një katastrofë e madhe në Çorovodë dhe nuk të kthejnë asnjë përgjigje as për tokat, as për certifikatën e shtëpisë. Zyrën e kanë bërë si derë burgu, me hekura. Nuk të kthejnë përgjigje. Ne s’jemi të rinj, kur do t’i gëzojmë shtëpitë”, tha një tjetër.

Një pensionist u ofrua t’i jepte pensionin kryeministrit Edi Rama për të kaluar muajin.

“Pensionistët gënjehen me thërrime. 50 mijë lekë 10 kokrra vezë janë. Kemi punuar në kooperativë, duhet një ditë të shpjegoj se çfarë ishte kooperativa”.

“Shqetësimi i madh është, t’i jap unë Edi Ramës pensionin tim e t’ia dalë gjithë muajin. T’i jap pensionin e gjithë vitit e të më japë rrogën e një muaji.

Ne pensionistët jemi bërë si ata qentë e rrugës. Pensioni im është 120 mijë lekë, a dalin? Me çfarë t’i blej ilaçet”, thanë ata.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: