NGA VJOLLCA KONGJONI*

TIRANË- Luhatet sërish niveli i inflacionit në vend duke pësuar ulje në muajin maj. Sipas të dhënave të INSTAT në fund të muajit maj të këtij viti inflacioni qëndron në nivelin e 1.8% nga 2.3% që ishte në muajin prill. Çmimet e konsumit gjatë këtij muaji kanë rënë me 1.6%. Në rënien mujore të inflacionit ka ndikuar grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkolike me 3.6 %.

Ndërsa vihet re një tendencë rritjeje në grupin “Transporti” me 0.3% krahasuar me muajin e katërt të vitit. Kjo e ndikuar kryesisht nga rritja e çmimit të karburanteve gjatë muajit të kaluar, ku nafta u rrit me 0,8% dhe benzina me 0,9%.

Megjithatë krahasuar me muajin maj të vitit të kaluar inflacioni ka pësuar një rritje me 1,8% . Një vit më parë ky indeks qëndronte në nivelin e 1,6%. Ka qenë pikërisht Arsimi që ka pasur rritjen më të madhe të çmimeve me 10,1%, kjo e ndikuar nga tarifat më të larta universitare. 6,8% më të larta kanë qene gjatë kësaj periudhe një vjeçare edhe çmimet e grupit pije alkoolike dhe duhan, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën me 3,8%. Peshën më të madhe brenda këtij grupi e zënë frutat me një çmim në rritje vjetore me 16,2% dhe të perimeve me 11,2%. Tendenca rënëse e inflacionit e cili vijon të mbetet poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë tregon një dobësim të kërkesës konsumatore dhe paqëndrueshmëri të saj për një kohë të gjatë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: