Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka lëshuar akuza dhe kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe reformës territoriale të ndërmarrë nga qeveria socialiste.
Përmes një interviste televizive, Malaj deklaroi se kjo reformë nuk arriti të forconte pushtetin vendor, por përkundrazi, dobësoi demokracinë lokale duke u konceptuar e gjitha mbi interesa elektorale.
Sipas ish-ministrit socialist, përqendrimi i kompetencave në duart e pushtetit qendror ka zbehur autonominë e bashkive në vend dhe ka cenuar drejtpërdrejt parimin europian të subsidiaritetit.
Më tej, Arben Malaj e cilësoi modelin e sotëm të drejtimit si thellësisht të centralizuar, ndërsa akuzoi ekzekutivin se ka injoruar udhëzimet kryesore të partnerëve ndërkombëtarë.
“Qeveria ka injoruar rekomandimet e Bashkimit Europian për decentralizimin, investimet dhe transparencën,” — u shpreh ai, duke nëvizuar se pushteti vendor është kthyer në një zgjatim të ekzekutivit qendror.
Intervista:
Malaj: Ne si studiues theksojmë deficitin demokratik që nënkupton largimin e votës së drejtpërdrejtë për ata që do t’i drejtojnë dhe për vendimet e rëndësishme që merren për zhvillimin e komunitetit. Reduktimi gjithnjë e më i thellë i numrit të bashkive dhe shpikja e konceptit të qytetit si një ngjizje a njësi e ndërmjetme, ku drejtuesi i qytetit do të jetë një nënkryetar i bashkisë, thotë reformatori i madh i PS-së. Në fakt, nënkryetari, sipas të gjitha përvojave dhe përkufizimeve, është një person i zgjedhur nga kryetari dhe e panevojshme të miratohet në këshill. Pra, do të jetë një nëpunës i kryetarit dhe nuk ka asnjë autoritet të votës së banorëve të zonës që të jetë ai që do t’i drejtojë ata. Kjo është e para dhe mbi të gjitha. E dyta, demokracia vendore europiane është ajo që ka në thelb parimin e subsidiaritetit. Domethënë, për problemet e zonës, përgjigjet drejtuesi i zonës i zgjedhur nga banorët e zonës. Në qoftë se kjo njësi vendore, jo administrative, unë nuk e përdor fjalën administrative se është thjesht burokraci, ndërsa fjala komunë, fjala qytet, duhet të jetë në thelb demokracia lokale, e cila konsiderohet gjaku i demokracisë vendore. Dhe në këtë aspekt, në qoftë se një njësi, një komunë, një qytet dështon të plotësojë detyrimet e tij ndaj banorëve të tij për shumë arsye, ndërhyn menjëherë qeveria qendrore. Në qoftë se problemet bëhen akoma më të mprehta, ndërhyn Bashkimi Europian. Më lejoni të kujtoj rastin e krizës së plehrave në Napoli.
Bashkia e Napolit nuk e menaxhoi dot. Ndërhyri qeveria e Berluskonit dhe u kërkua ndihmë nga Bashkimi Europian. Nuk qartësohet, janë fokusuar vetëm te numrat, por organizimet territoriale janë aspekte të rëndësishme të demokracisë, të vetëqeverisjes, të decentralizimit, të autonomisë financiare. Nuk ka asnjë element që kjo reformë shton demokracinë vendore, rrit qeverisjen me pjesëmarrje, rrit autonominë financiare dhe plot elementë të tjerë. Dhe autonomia financiare nuk rritet se po bashkohesh me një qytet të madh, se të humbasësh tërë konceptimin e një qeverisje demokratike, të t’i mbledhë nga një bashki dhe t’ia japë një komune që në rastin konkret… dhe unë besoj shumë të kryetarët e komunave, qofshin të Partisë Socialiste, qofshin të partive të tjera, pashë rastin e bashkisë së Patosit, e cila kishte një koeficient…
Pyetje: Të… si të thuash, të mirëqeverisjes së saj.
Malaj: Po. 71.4%, kur të gjithë të tjerat e kishin më të pakët. Kështu që në këtë aspekt, unë mendoj se është ajo që ka përsëritur Rama dhe Balla që herën tjetër ne do t’i fitojmë të 61 bashkitë, tani bëhet më e lehtë se bëhen 46. Pra është në thelb antidemokratike. Shifrat janë përdorur ose statistikat keqpërdoren thjesht për të fshehur thelbin e kësaj reforme.
Pyetje: Pra është një llogaritje elektorale, thoni ju kjo ndarje.
Malaj: Totalisht, dhe e kam thënë shumë më përpara që kur nisi kjo reformë. Nuk kam ngritur pyetjen: e vret apo e rrit demokracinë vendore kjo reformë? Rezulton që e vret, nuk e rrit.
Pyetje: Po sa e duam vërtet ne këtë demokracinë vendore zoti Malaj, pasi kam përshtypjen që pushteti qendror në Shqipëri gjithmonë, sidomos gjatë këtij drejtuesi që kemi tani, zotit Rama nga 2013-ta, nuk shfaq asnjë dëshirë për delegim kompetencash. Ndoshta pranon atë që i thotë BE-ja në parim, po duket ajo dëshira nëse e ke apo jo këtë…
Malaj: Dëshira mungon totalisht dhe bëre mirë që e lidhe me Bashkimin Europian. Le ta shikojmë më gjerë sesa thjesht një problem numër bashkish. A u bë i qartë në shkurt që kishte shumë vlerësime pozitive për qeverinë shqiptare që nuk ishin në realitet të tilla? A reaguan institucionet europiane kundër këtij raporti të parë dhe a u desh të kalonin dy-tre muaj që të miratohej i dyti, i cili kishte detyrime strikte? A u kërkua që të anuloheshin investitorët strategjikë?
Dhe Rama vazhdon dhe e keqpërdor, duke dhënë edhe koncesione nafte që do jetë një barrë e rëndë disa qindra milionë euro mbi shqiptarët gjatë kësaj periudhe. A u kërkua rishikimi i ndryshimeve të vitit 2014 mbi zonat e mbrojtura? Çfarë bëri Rama? Të kundërtën. A u kërkua që nëse bashkohet Amerikës dhe Bashkimit Europian të krijojë një ambient për investime të huaja direkte dhe me garë? Ne e kemi të gjithë me dekrete mbretërit, kryeministrorë.
Pra, e përzgjedh ai investitorin strategjik, i thotë plotëso dokumentat dhe pastaj ia sjell Shqipërisë. Po çfarë është kjo rrugë? Si do përgjigjet Rama tani për atë madhështinë e lavdishme të projektit të Durrësit, që e mbyti gjithë televizionin, më shumë fliste Rama sesa fliste investitori strategjik. Po tani ai që i thotë që kam gabuar? Çfarë do bëhet me ato qindra-mijëra që kanë bërë parapagesë? Se po na ndodhin në ’97-ën, që kur vëren se ata që kanë paratë e shqiptarëve janë të pashoq, shqiptarët futen akoma…/Syri
