Grupi parlamentar i PS po zhvillon prej rreth një ore mbledhjen e tij. Gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se mbledhja drejtohet nga kryeministri Edi Rama.

Mbledhja vjen pak orë para nisjes së sesionit të ri parlamentar dhe ka në fokus pikërisht aktivitetin parlamentar dhe sfidat e PS në këtë sesion.

Në mbledhjen e grupit të PS është i pranishëm edhe deputeti Agron Cela, i cili u largua pak ditë para vitit të ri nga Partia e Lirisë.

“Balkanweb” ka zbardhur diskutimet në mbledhje. Siç mësohet Rama ka mbajtur një qëndrim për performancën e ministrave në Parlament. Rama ka tërhequr vëmendjen e ministres Xhaçka për një pjesëmarrje më të madhe dhe më aktive në seancat plenare gjatë betejës politike. Rama ka thënë që Xhaçka dhe Niko Peleshi oratorinë e tyre ta shfrytëzojnë edhe gjatë debateve politike në seancat parlamentare. Spiropali është vlerësuar për performancë “të lartë”.

“Dua një premtim nga Olta që oratorinë e saj shumë të mirë ta përdorë edhe në funksion të parlamentit. Oratorinë dhe argumentet, si pikën e saj shumë të fortë si MEPJ, ta përdorë më shpesh edhe në Kuvend”, mësohet të ketë thënë Rama.

Burime nga grupi i PS, po ashtu bënë me dije se Rama ka mbajtur qëndrim kritik ndaj deputetëve që kanë munguar në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Këto mungesa, ka deklaruar ai kanë bërë që mbledhjet herë pas here të mos zhvillohen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: