Kryetarja e grupit parlamentar Drejtësi dhe Integrim Mesila Doda zhvilloi sot një takim me eurodeputetët e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, kryesuar nga eurodeputeti Manolis Kefalogiannis.

Në takim u diskutua lidhur me reformën në drejtësi ku Doda nënvizoi se është problematike shpejtësia me të cilën u implementua reforma dhe kjo ka krijuar problematika, si me dosjet e mbetura në gjykatën e apelit, të cilat duan vite që të trajtohen për shkak të mungesës së gjyqtarëve, po ashtu edhe për faktin që SPAK-u është mbingarkuar me çështje, ndërkohë që do të duhet të ketë një fuqizim të Prokurorisë së Përgjithshme dhe prokurorive nëpër rrethe.

Për sa i përket çështjes së ligjit elektoral Doda nënvizoi se, ligji elektoral u ndryshua në mënyrë të njëanshme gjatë mandatit të kaluar dhe gjithashtu pati edhe ndryshime kushtetuese, të cilat nuk kanë ndodhur herë tjetër dhe do duhet që të ketë një ligj proporcional kombëtar dhe të ketë mundësi që të votojë edhe Diaspora.

Kjo do të bënte të mundur që të kishte më pak ndikime të partisë në pushtet, e cila edhe sipas vërejtjeve të OSBE-ODHIR-it, partia dhe shteti humbasin kufijtë e dallimit në kohën e fushatave elektorale.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për sa i përket çështjeve të marrëdhënieve me fqinjët, Doda nënvizoi se Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm, por kjo nuk duhet të zëvendësojë apo të krijohet si një alternativë në rrugën tonë drejt BE-së, e cila mbetet prioriteti numër një dhe do të bënte të kishte një sinjal tjetër në rajon mjaft më të mirë për marrëdhëniet me fqinjët.

Doda kërkoi nga eurodeputeti Manolis Kefalogiannis që të abrogohet Ligji arkaik i Luftës me Greqinë, i cili është i vitit 1940, sepse kjo do të shënonte një marrëdhënie të re midis dy shteteve.
Eurodeputetët u shfaqën shumë të interesuar lidhur me çështjet e reformës në drejtësi, lirisë së medias, problemet e ligjit elektoral në Shqipëri, si edhe gjithashtu lidhur me marrëdhëniet me fqinjët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb