Publikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit.

Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Pjesa e njëzet e gjashtë

Dokumenti sekret i aprovuar nga ana e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, Flamur Sinojmeri, për zbutjen e masave përgjuese ndaj të dënuarit Xhavit Qesja, nga 2/A në 2/B

APROVOHET

KRYETARI I DEGËS P.MBRENDSHME “Sekret”

Flamur Sinojmeri Ekzemplar Nr.1962

Burrel me 3/XI/1970

VENDIM

Mbi uljen nga kategoria 2/A në kon. Op/2.B

Unë punëtori Operativ, Shaban Hate, efektiv i Degës Punëve Brendshme Burrel, ana e Sigurimit, nga studimi që i bëra dosjes formulare në 2/A në ngarkim të burgosurit Xhavit Qesja:

GJETA:

Xhavit Qesja i biri i Hajdarit dhe i Sabrijes, i datëlindjes 1920, lindur në Krujë dhe tani në burgun e Burrelit, me arsim të lartë, shtresë e mesme tregtarësh, i martuar, me kombësi dhe nënshtetësi Shqiptare. Qëndrimi i tij gjatë luftës ka qenë i mirë. Pas çlirimit të vendit, ka qenë me poste të ndryshme, duke qenë se Xhaviti kishte pikëpamje revizioniste, transferohet me punë në Elbasan. Dega e Punëve të Brendshme Elbasan e rimerr në përpunim aktiv më 15/XI/1957.

Qoftë në Elbasan dhe në internim në Zvërnec, kanë dhënë në drejtim të tij një seri B.p., ku del qartë veprimtaria e tij armiqësore. Për aktivitetin armiqësor të zhvilluar prej tij dënohet me 10 vjet burg. Duke qenë në burg në Burrel zhvillon veprimtari armiqësore, kjo del nga të dhënat e B.p. “Beni”.

Xhaviti në muajin Korrik, i drejton një letër udhëheqjes të Partisë, ku fliste me armiqësi, për këtë u fillua çështja penale në drejtim të tij, dhe u dënua përfundimisht më 17 vjet, 2 muaj e 19 ditë. Kohët e fundit Xhaviti është izoluar në vete, përpunimi i tij ka vështirësi, për kushtet e burgut sa sipër:

VENDOSA

Që përpunimin e Xhavit Qeses, nga përpunim aktiv 2/A, ta ul në kontrolle operative 2/B.

PUNËTORI OPERATIV

Shaban Hate

Relacioni i Zv/Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, Ismail Musta, lidhur me rrezikshmërinë që paraqiste i dënuari Xhavit Qesja dhe masat e marra ndaj tij

“Sekret” Burrel më 5.2.1971

R E L A C I O N

“Mbi të burgosurin Xhavit Qesen”

Siç theksohet dhe në vendimin e uljes nga kategoria 2/A në kontrolle operative 2/B, Xhaviti mbasi dënohet përfundimisht me 17 vjet, 2 muaj e 19 ditë, izolohet më vete në birucë, për vetë faktin se nuk pranonte në asnjë mënyrë të bashkohej me të dënuarit e tjerë anti-parti.

Është për të theksuar se Xhaviti u urren elementin anti-arti, aq sa kur nga ana e komandës ju dhe urdhër që të shkonte në dhomën Nr.3, së bashku me Maqo Çomën, Halim Xhelon e të tjerë, ai nuk pranojë dhe kalojë në grevë urie, për disa ditë me radhë. Për këtë, duke parë se Xhaviti nuk po bënte kthesë, u la në birucën ku kishte qenë më parë.

Gjatë kohës në birucë nuk mundej të kontrollohej dhe të zbulohej aktiviteti armiqësor i mëtejshëm i tij, për vetë kushtet e burgut. Kontrolloheshin vetëm letrat e hyra dhe të dala dhe personat që i vinin në takim. ndonjë veprim tjetër në drejtim të tij nuk është bërë. Kohët e fundit është shtruar në spital në Tiranë.

Është për të theksuar se ky armik, krijon vazhdimisht atakime me rojet e brendshme, qëllimisht për t’i diskredituar, dhe nga ana e komandës për këtë veprim të tij janë marrë masa edhe izolimi.

Shkruan vazhdimisht letra me përmbajtje të dyshimtë dhe që këtë duhen kontrolluar.

Në takimet që bënë me të ëmën e tij, ka pasur raste që i janë ndërprerë, për faktin se flet fjalë në adresë të udhëheqjes.

Ky armik të kihet parasysh dhe nën kontroll të rreptë të agjenturës, pasi shpërthen në momente aktivitetin e tij armiqësor.

Bëhet ky relacion dhe vendoset në dosjen e tij.

Punëtori Operativ Zv/Kryetari i Degës P.Mbrendshme

Shaban Hate Ismail Musta

Raport-informacioni “Tepër sekret” i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Vasil Gjergji, me të dhënat e bashkëpunëtorit me pseudonimin “Pëllumbi”, lidhur me survejimin e Xhavit Qeses në burgun e Burrelit

Tepër Sekret Marrë nga P. Op. Vasil Gjergji

Dhënë nga B.p. “Pëllumbi”

Raporti i datës 12.6.1971

Më datën 21 Maj ai ka biseduar me të dënuarin Xhavit Qesja dhe midis të tjerave ky i fundit ka thënë: Urren shumë jo vetëm Partinë tonë dhe sistemin socialist, por ai urren gjithë sistemin socialist dhe komunizmin e aplikuar deri tani në gjithë vendet e botës. Unë thotë Xhaviti dëshiroj një sistem socialist, jo vetëm me mënyrën e organizimit të jetës politike dhe ekonomike të vendit, të njëllojtë me vendet perëndimore (Amerikës, Anglisë, Francës, Italisë) etj.

Ku në ekonomi të lozi rolin kryesor “fitimi personal”. Dhe me regjim politik që mos ekzistojë asnjë forcë dhune të një pjese të shoqërisë, mbi pjesën ose pjesët e tjera të shoqërisë dhe kjo fitohet kryesisht “Duke patur në udhëheqje të shoqërisë, ose si ta quajmë të shtetit, njerëz me zhvillim të gjithanshëm mendimi-shkencor, kuadro jo vetëm që të kenë kryer medoemos arsim të naltë, por dhe më të mirë, më të zotët ndërmjet tyre dhe me tendencë shkencore dhe kryesisht njerëz humanitar”.

Po me datën 2 dhe 11 Qershor, Xhaviti është shprehur se e urren shumë…………që nga Zvërneci. Unë thotë Xhaviti bërë 5 ditë grevë urie, për të ikur nga dhoma Nr.3 dhe pranova të rri në birucë, për të mos dëgjuar këtë injorant që të flasë për politikë. Ky me katër klasë shkollë, kërkon që të vijë Jakubofski në Shqipëri, i cili të shikojë me tanket e tija mbi kockat e shqiptarëve dhe të vërë atë Kryeministër dhe të shoqen Sekretare të I-rë.

Pikërisht për këtë arsye, ku pa asnjë arsyetim logjik dhe pa asnjë principialitet, lavdëron çdo gjë sovjetike, natyrisht ato që janë të lidhura me Hrushovin dhe shokët e tij, na këndon gjithë ditën këngë ruse, këto i bënë për t’i pasur si trampoline, që nesër për t’u treguar si hero dhe njeri me sovjetikët i Shqipërisë, që të arrijë qëllimin e vet.

Dhe e shoqja (…….) se mos është kushedi se çfarë, jo, të dy nga pikëpamja e ngritjes politike dhe ideologjike. janë si tenxherja me kapakun. Ai………arrin deri aty, thotë i dënuari Xhavit Qesja, as që të lavdërojë sulmin e sovjetikëve në Hungari më 1956, ku tanket sovjetike vrisnin me mijëra fëmijë, gra e pleq, të pafajshëm, hungarez. Por këta kriminelë, e bëjnë këtë gjoja në emër të komunizmit, siç vepruan edhe me veprimet e tyre në Çekosllovaki që lëshuan topa dhe aeroplanë për të vrarë njerëz, këta xhelatë që gjoja mbrojnë Marksizëm –Leninizmin.

Tani i dënuari…………….jo vetëm ky, por dhe të tjerë thonë se janë me Kongresin e XX-të të Bashkimit Sovjetik, ata janë tani kur të tjerët ja u hoqën kolltukun nga bythët dhe se tani me që Enver Hoxha dhe shokët e tij janë kundër këtij kongresi dhe se këta shpresojnë për të zënë vend përsëri kolltuqet, bile më të buta, s’kanë vetëm se tek sovjetikët, janë bërë me Kongresin e XX-të, këta aventurier nuk janë më asgjë, vetëm me interesin e tyre vetjak, ata kur e përkrahën Kongresin e XX-të në Shqipëri, në Konferencën e Tiranës dhe më vonë e kanë luftuar ata sa mundën, se patën frikë mos u hiqnin kolltuqet.

Ky njeri (………….) na bëhet tani si njeri më i aftë i një “gjeniu” si e quan ai Hrushovin, këtë e bënë për ta quajtur të tjerët shumë të aftë në sferat e nalta sovjetike dhe se kishte miqësi me një udhëheqës gjenial, pra edhe ky jo vetëm ka përkrahjen e tij, por edhe vet ai është një princ gjenial, por nuk e di budallai, se Hrushovi, ish një muzhik idiot e fare i pagdhendur.

Këtë qëndrim provokues kundër komandës dhe udhëheqjes………… dhe shokët e tij, e mbajnë për t’u treguar të papërkulur që të dalin si udhëheqës dhe letrat që u bëjnë personave kryesore në qendër, i bëjnë jo për gjerë serioze dhe me kërkesa parimore, por kot, në mënyrë që nesër ato të gjenden në arshivat e t’i ngrenë vlerën atyre. E çfarë udhëheqësi, vazhdon Xhaviti, mund të jetë ky Dilaveri, një katundar i pagdhendur, i cili nuk merr vesh për asgjë dhe po na merret me politikë, na mëson dhe gjuhë si italisht, frëngjisht, italisht, kur ai nuk di mirë shqipen, nuk dallon dot emrin vetor nga ai dëftor.

Apo………..një spiun i komandës qysh në Zvërnec,_________________. Ky njeri për të hipur në shkallët e karrierës, është gati të kalojë me tanke mbi kockat, jo vetëm të popullit, por bile dhe të nënës së tij. Këta dhe njëri tjetrit ja kanë me djallëzi dhe mundohet t’i fusin gishtin njëri tjetrit, por meqenëse kanë formuar “Partinë e Moskës”, i lidhin interesat e përbashkëta.

Xhaviti në biseda me atë dhe me Zian, lavdëron bollëkun dhe lirinë demokratike në vendet perëndimore, duke sharë të gjithë sistemin komunist sovjetik e polak, e të tjerë, e veçanërisht kinezët dhe udhëheqjen tonë. Ne flasim për kushtetutën tonë si gjoja më të mirë në botë, por a e di ti se në Angli nuk ekziston fare kushtetutë dhe në Angli ekzistojnë të gjitha bindjet politike, bile propagandohet komunizmi, lejohet Partia Komuniste me shtypin e saj dhe zhvillon propagandën e vet, lejohen demonstratat, ekziston një nga demokratët më të famshëm që mjetit i njerëzimit, mos harro se në atë sistem monarkie, bile një shekull më parë jetonin dhe krijonin veprat e tyre Marksi dhe Engëlsi, se i botonim ato që ishin drejtuar kundër qeverisë në fuqi dhe ky shtet nuk ka fare kushtetutë.

Më datën 6 Qershor, ai në biseda që ka bërë me të dënuarin Zia Dibra, ky i fundit i ka thënë: “Po të mos ekzistonte Partia Komuniste Jugosllave dhe Titua, nuk do të ekzistonte Partia Komuniste Shqiptare dhe lëvizja Nacionalçlirimtare shqiptare. Titua ka meritat kryesore që u formua Partia jonë dhe Jugosllavët nëpërmjet Meladinit dhe Dushanit, formuan Partinë dhe lëvizjen Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe udhëheqjen ata praktikisht Komitetin Qendror të Partisë dhe Shtabin e Përgjithshëm.

Titua është treguar shumë internacionalist karshi Shqipërisë, se po të desh, të kish aneksuar Shqipërinë qysh në vitin 1945, sepse Stalini Shqipërinë ja kishte lënë Titos, parulla “rruga për në Moskë kalon nëpërmjet Beogradit”, u dha me aprovimin e Stalinit. Në rast se Titoja do ta kishte bërë Shqipërinë republikë të shtatë, kjo do të ishte në interes të popullit shqiptar, se do të krijohej Republika e Shqipërisë, bashkë me tokat e Kosovës dhe të Metohisë dhe do të ish zhvilluar akoma më shumë nga ana industriale dhe kulturale dhe do të kishte një nivel ekonomik shumë të lartë dhe një demokraci të vërtetë.

Tani ai shumë po u kërkohet këtyre tanëve me Titon, por Titua është ujk i vjetër dhe po ju afrua shumë, ja u hëngri kokën dhe mund t’ju jap këtyre Kosovën e Metohinë dhe me anë të tyre të kthejnë Shqipërinë, në Republikë Federale Jugosllave dhe po të ndodhë kjo dhe tani do të jetë prap fat i madh për popullin shqiptar.

Më 7 Qershor në dhomën e Maqos e midis Zijait, Maqoja është shprehur: Enver Hoxhën e vuri në krye të Partisë, Koço Tashkoja se ky si Komandant i grupit të Korçës, kishte lidhje me Kominternin dhe ai udhëzonte autoritetin në masë të zgjidhej Sekretar i I-rë një person mysliman, i ri e inteligjent, i pashëm në trup e në fytyrë, por të mos ish nga udhëheqësit e asnjë grupi komunist, sepse ata kishin frymë tarafi dhe grinden me njëri tjetrin, Enver Hoxha në atë kohë ishte në rrethin e inteligjentëve simpatizant borgjez të grupit Korçar, bile as nuk ishte anëtar grupi, por Koçoja ja propozoi këtë Kominternit dhe Kominterni duke u bazuar në karakteristikat që dha Koçua, e urdhëroi ta zgjidhte dhe tani po i ha kokën mësuesit të vet (Koços).

Por Enveri ish Sekretar i I-rë vetëm formalisht për emër se tërë aktivitetin e Komitetit Qendror dhe të Shtabit të ushtrisë e udhëhiqte Meladini dhe Dushani, bile Meladini e qortonte kaq shumë Enverin në raste të ndryshme, sa që e shante si një fëmijë.

Kjo Parti që u krijua, tani u kthye në Parti të labëve dhe nuk është më parti e klasës punëtore, por parti e kultit të personave në fuqi dhe me origjinë fshatare. Ja pse i dhanë Dibrës që është rrethi më i prapambetur dhe rreth krejt fshatar, titullin rreth “Hero i Punës Socialiste” dhe se atje i filluan metodën e re të punës me goditje të përqendruar, sepse çdo gjë e udhëheq fshatarësia gjoja.

Prej datës 21 deri më datën 27 Maj, thotë burimi, Bedriun gjithmonë e ka parë vetëm, ndërsa më 2 Qershor, Bedriu shkoi në dhomën e Xhavitit dhe aty po shikonin disa revista Kineze anglisht, revista erdhi me dy pllaka plasmasi për gramafon, me muzikë “Kina e kuqe” dhe një revistë shtesë me notat e tekstit të muzikës.

Bedriu në këtë kohë tha se: pushtet-mbajtësit e shpenzojnë djersën e popullit për qëllimet e tyre propagandistike, duke prodhuar mijra pllaka në këtë muzikë që nuk i sjell asgjë popullit kinez, e këtë revistë me nota e dërgojnë falas kudo duke harxhuar miliona lek me këto dhe populli ja si punon si kafshë, e duke tërhequr karro me dhe, ja socializmi, si duket janë pa mend, kapitalist dhe kriminel që i pinë (gjoja) gjakun klasës punëtore të tyre, me makina modern elektrike.

Po më 10 Qershor, Bedriu në biseda të ndryshme ka thënë: Gjermania Federale, është bërë tani si Amerika qëmoti, ku jo vetëm gjermanët kanë punët të siguruar, por me nivel nga më të lartët ekonomik në botë. Këta shkruajnë në gazeta e në radio, se punëtorët në Gjermani e gjetkë, bëjnë greva për përmirësimin e konditave të jetesës, por nuk thonë se ç’kërkojnë konkretisht ata, mos kërkojnë bukë, jo, ata kanë dhe gjalpë e mish, por duan t’i shtojnë ato dhe t’i kenë më të lira, duan që puna të jetë sa më pak e lodhshme, kurse gjoja shqiptari i lumtur, s’bënë grevë se është i kënaqur.

Me se do të jetë i kënaqur me bukë me racion, me gjizë, që tregu i ynë s’ka gjithmonë, jo, shqiptari ka socializmin në gazetë, se këtë ja ka siguruar udhëheqja me bollëk, po bëre grevë, merr plumbin kokës dhe në rastin më të mire, burgosej për 10 vjet. Ky është socializmi, ose më mirë sistemi më barbar i kohës.

Bardhyl Belishova, vazhdon ai, me 10 Qershor ka bërë një letër Prokurorit, ku ankohet ndaj komandës, pse nuk e lënë të bëjë banjo dielli, këtë letër ja u dha dhe të tjerëve për të lexuar para se ta niste. Sot pasi N/Kryetari Degës me Komandantin, Bardhyli, bisedoi më parë me Maqon dhe Dilaverin, si dhe me Gjin Markun, si dhe më vonë u mblodhën dhe Koçoja, Halimi, Bedriu vajti më vonë e pastaj Ziaji, Miçoja dhe Pandeliu dhe vendosën të mos dalin në ajrim pa ardhur Prokurori, që të na lejohet të ulemi e të shtrihemi në tokë kur të duan, një pjesë nga ne ra dakord me këtë, nga turpi karshi shokëve.

Kur më vonë u muarr në pyetje nga Kryetari Degës e të tjerë, sidomos Bedriu, ai bërtiti dhe me që lëvizën karriget, u krijua përshtypja sikur po e rrihnin Bedriun dhe u bë ajo lloj proteste duke bërtitur “Mos e rrihni”, duke u rënë dyerve, sidomos Halimi, Dilaveri dhe Maqoja. Bedriu, kur erdhi tha që të mos pranojmë asnjë bisedim me Degën, vetëm se me Prokurorin dhe mos ngrihet asnjë çështje tjetër se i ikën vlera kësaj.

“Pëllumbi”

Detyra:

B.p. u porosit që të mbaj të njëjtin qëndrim siç ka mbajtur deri tani dhe të mos dali kundra tyre. Njëkohësisht u porositi që të mësojë mendimet dhe qëllimet e tyre lidhur me organizimin dhe kryesorët e kësaj rrëmuje, megjithëse një pjesë dihen. Memorie.al

PUNËTORI OPERATIV

Vasil Gjergji

Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb