E ftuara e dytë në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte këngëtarja e njohur Rosela Gjylbegu, e cila bëri një rrëfim të rrallë për jetën e saj profesionale dhe private.

Teksa u pyet për “Eurovisionin” i cili do të mbahet nga data 10 deri më 14 maj, Rosela tha se këtë vit nuk do të mundet ta ndjekë pasi në ato data do të jetë në Madrid.
Ndërkohë në lidhje me këngën me të cilën Shqipëria merr pjesë këtë vit në Festivalin Europian, këngëtarja theksoi se mund të ishim përfaqësuar edhe më mirë pasi vendit tonë nuk i mungojnë talentet, “Nuk kam asgjë personale, por më vjen keq se ne nuk na mungojnë talentet. Mendoj se mund të ishim përfaqësuar më mirë, megjithatë i uroj shumë suksese”.

Pak javë më parë Rosela bëri një status në rrjetin e saj social “Facebook” ku mbështeste përfaqësuesen e Malit të Zi, ndërsa ndau me ndjekësit e saj edhe pakënaqësinë që kishte me mënyrën se si vitet e fundit zgjidhen këngët të cilat përfaqësojnë vendin tonë në “Eurovision”.

Disa e komentuan këtë kritikë të këngëtares si xhelozi, ndaj në “Dola te Ola” Rosela zgjodhi t’u japë një përgjigje publike, duke theksuar se ishte thjesht një kritikë dhe nuk ka asnjë arsye që ajo të ketë ndjenja të tilla.

“Nuk guxon dot të bësh një kritikë. U komentua sikur jam xheloze, nuk kam asnjë arsye pse të jem xheloze ndaj askujt sepse kam arritur ato çfarë kam dashur. Kurdo që do të vendos të rikthehem në skenë, kam punuar fort që të kem dashurinë e njerëzve”, tha ndër të tjera Rosela.
Kujtojmë që vetë Rosela prej vitesh ka zgjedhur që të jetë e tërhequr nga muzika, por që herë pas herë zgjedh që të vijë pranë artdashësve të saj me projekte të reja muzikore. Ajo zbuloi në “Dola te Ola” se është në bisedime për projektin e saj të radhës, por theksoi se nuk do të jetë së shpejti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: