Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi u shpreh nga foltorja e Kuvendit se deputetët socialistë të cilët ishin kritikë, kanë ndryshuar qëndrim lidhur me hartën e re territoriale, duke u shprehur se do ta votojnë pro. Bardhi ka akuzuar socialistët se po veprojnë sipas vullnetit të kryeministrit Edi Rama dhe jo në bazë të bindjeve të tyre.

“Sot dolën dhe thanë: ‘Ne jemi kundër, por do të votojmë pro’”, deklaroi Bardhi, duke ironizuar deputetët e mazhorancës për qëndrimin e tyre ndaj reformës.

“Jeni thjesht 84 diella që ju kurdis Rama dhe ngrini kartonin sipas interesit të tij”, u shpreh ai.

Kuvendi pritet të votojë për hartën e re territoriale, ndërsa ndryshimi i qëndrimit nga pjesa dërrmuese e deputetëve socialistë ka nxitur debat mbi qëndrueshmërinë e pozicioneve të tyre dhe mënyrën se si mazhoranca do të votojë për reformën.

Gazment Bardhi: Nuk i kam parë kurrë më në siklet këta të krahut këtej, se sa sot, madje pjesa dërrmuese dolën dhe thanë, ne jemi kundër por do të votojmë pro, ne mendojmë se kjo nuk është reformë por do të votojmë pro. Ju falenderojmë shumë sepse kemi kaq kohë që ju themi se ju në këtë sallë s’keni as mendim, as ide, as vizion, ju jni thjesht 84 diella që ju kurdis Edi Rama dhe e keni kthyer funksionin e përfaqësimit të popullit në kartona që ngrihen sipas interesit personal të Edi Ramës. Rrëzuat gjatë 10 orëve diskutim 3 muaj propagandë që ju keni servirur shqiptarëve. Kam njëpyetje, deputetja e Divjakës Ana Nako, a do na thuash ccfarë mendojnë banorët e Divjakës që do të votosh ti sot. Janë pro apo kundër? Ti përfaqëson banorët apo interesin kriminal të Edi Ramës? Deputetja e Patosit, Antoneta Dhima gjatë pranisë besnike, qytetarët të thanë që ishin pro apo kundër reformës territoriale? Përfaqëson interesin e qytetarëve të Patosit apo interesat kriminale të Ramës? Elisa Spiropali, banorët e Bashkisë së Rrogozhinës të thanë gjatë pranisë besnike se janë pro apo kundër hartës territoriale? Pse nuk e sjell këtu zërin e banorëve të Rrogozhinës?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb