Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka dalë kundër mënyrës se si po konceptohet reforma e re administrativo-territoriale, duke bërë të qartë se ndryshimi i hartës së bashkive nuk mund të jetë qëllimi kryesor i këtij procesi.

Braçe thekson se nuk e kundërshton nevojën për reformimin e pushtetit vendor, por kërkon që reforma të jetë më e gjerë dhe të fokusohet te mënyra se si qeveriset territori. Sipas tij, një ndryshim i thjeshtë i kufijve të bashkive nuk zgjidh problemet e pushtetit vendor, nëse nuk shoqërohet me decentralizim real.

Në qëndrimin e tij, deputeti socialist argumenton se vendimmarrja duhet të mbështetet mbi kritere të qarta dhe të njëjta për të gjithë vendin, dhe jo thjesht mbi rezultatin e një votimi politik.

Për Braçen, prioritet duhet të jetë forcimi i autonomisë së bashkive, duke u transferuar atyre më shumë kompetenca dhe përgjegjësi, por edhe burime financiare për t’i ushtruar ato.

Ai kërkon që pushteti vendor të ketë një rol më të madh në administrimin e territorit dhe në vendimmarrjen për çështjet që lidhen drejtpërdrejt me komunitetet lokale.

Sipas tij, qeveria duhet të ndërmarrë një hap më të fortë drejt decentralizimit, duke u dhënë bashkive më shumë kompetenca, funksione, të ardhura, taksa dhe buxhete.

Në këtë kuadër, Braçe argumenton se reforma territoriale duhet të jetë një instrument për përmirësimin e qeverisjes vendore dhe jo thjesht një proces për rishpërndarjen e kufijve të bashkive.

 

Reagimi i Braçes:

Për hartën territoriale, mbledhjen e grupit, argumentat, qëndrimin tim mbështetur në parime, votën kundër dje dhe sanksionet si kërcënim!

Ju detyrohem një sqarim të qartë për çfarë ndodhi dje, duke i dhënë fund spekulimeve e keqpërdorimit;

Dëgjojeni videon dhe keni të qartë qëndrimin tim për reformën e pushtetit vendor – unë nuk e shmang e as e refuzoj reformën, është nevojë, por si reformë për mirëqeverisje, jo si vizatim i një harte;

Mbështetur në parime e kritere të barabarta, të zbatuara në të gjithë territorin e Republikës – reformën e mban dhe e bëjnë të qëndrueshme parimet, jo votat;

Tirana dhe modeli i saj i zhvillimit duhet të jetë thelbi i reformës së pushtetit vendor – nxjerrja e Tiranës nga cikli i varësisë së thellë nga ndërtimi dhe financimi i funksioneve dhe shërbimeve veç prej tij;

Është koha që qeveria t’i japë jetë decentralizimit dhe autonomisë në territor, të mendojë e bëjë transferimin më të madh të pushtetit, kompetencave, funksioneve, tatimeve e taksave, buxheteve tek pushteti vendor – nuk ka ndodhur asnjëherë qysh kur këto parime u vendosën në Kushtetutë;

Përqendrimi i pushtetit në veç dy pole nuk është i mirë për të gjithë, duke nisur nga qytetarët – duhet të thyhet tani për të deleguar veçanërisht fuqi shërbimi deri tek hallka më e fundit e kontaktit me qytetarin;

Kështu një hartë për reformë;

Si hartë është e përkohshme, e paqëndrueshme, e pamjaftueshme, nuk është ajo që na kërkohet dhe që duhet për të qeverisur mirë, përmirësuar!

Për të bërë gjënë e duhur nuk e kam fare problem votën dhe sanksionet e saj si kërcënim; fare!

Sepse është përgjegjësia jonë të bëjmë gjënë e duhur, vërtetë, jo me sikur, mbështetur mbi parime e që përmirëson qeverisjen në këtë nivel!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb