Gazetarja Denada Kola, në “Prime News24” me Nisida Tufën, ka kritikuar ashpër Partinë Demokratike dhe përpjekjet e saj për t’u përfshirë në protestën e studentëve, duke i thënë drejtpërdrejt deputetit Klevis Balliu se opozita po përpiqet të marrë drejtimin e një lëvizjeje që kundërshton të gjithë sistemin politik, përfshirë edhe PD-në.

Gjatë debatit me Balliun, gazetarja theksoi se studentët nuk kanë dalë në rrugë për t’i dhënë pushtetin njërës prej partive tradicionale, por për të kundërshtuar sistemin që, sipas saj, është ndërtuar ndër vite nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.

Ajo u ndal te përpjekjet për t’u vendosur etiketime politike protestuesve, duke kujtuar se kryeministri Edi Rama i ka cilësuar studentët si iranianë, grekë apo të lidhur me Erion Veliajn, ndërsa nga radhët e PD-së janë paraqitur si mbështetës të Arlind Qorit dhe Adriatik Lapajt.

Sipas gazetares, pikërisht përpjekjet për t’i identifikuar studentët me grupe apo figura të caktuara politike kanë ndikuar që ata të refuzojnë përfshirjen e partive tradicionale në protestë.

Gazetarja theksoi se në terren është vënë re një kundërshtim i qartë sa herë që deputetët e opozitës kanë tentuar të marrin drejtimin e tubimit. Ajo kritikoi gjithashtu përpjekjet e PD-së për të organizuar tubime që ndërthuren me protestën e studentëve, duke iu referuar edhe incidenteve të së shtunës.

Në vijim, ajo e zhvendosi debatin te gjendja e Partisë Demokratike, duke argumentuar se problemi kryesor i opozitës nuk është mungesa e mbështetësve, por pamundësia për të krijuar një frymë politike që të bindë qytetarët.

“Rama i bëri studentët grekë e iranianë apo së fundmi të Veliajt, PD thotë janë të Qorrit dhe Lapajt, studentët janë aty për të shembur sistemin e ndërtuar nga PD dhe PS. Emërtimi i tyre i ka bërë të refuzojnë edhe opozitën.

Në terren sheh që në momentin që deputetët e opozitës kanë dalë të marrin flamurin e  protestës dhe ta udhëheqin, janë udhëhequr nga protestuesit.

Por kur futet një protestë e njoftuar nga PD për të hyrë mes protestës së studentëve, ndodh ajo si e të shtunës.

PD nuk ka mungesë numrash por fryme.

Ka munguar forca kryesore e opozitës, çdo parti tjetër me gjithë skandalet e mazhorancës, do ta kishte marrë pushtetin. PD nuk arriti”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb