Në Gjermani u zhvillua një debat i gjerë në Bundestag, në parlamentin federal, për marrëdhëniet me SHBA.

Kancelari Fridrih Merz kërkoi një qëndrim më të guximshëm të Evropës.

Për të mësuar më shumë jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW.

Auron, përshëndetje,

Cili ishte thelbi i fjalimit të Merzit për politikën e jashtme – çfarë njoftoi ai me pak fjalë?

Kancelari Friedrich Merz tha para Bundestagut se “një rend i ri botëror i fuqive të mëdha” po “merr formë, me shpejtësi të madhe”. Ai kujtoi se Evropa do të mund t’i imponojë idetë e saj vetëm nëse, siç u shpreh ai, “ne vetë mësojmë të flasim gjuhën e politikës së fuqisë”.

Merz-i përmendi si suksese të qëndrimit evropian, garancitë e sigurisë për Ukrainën nga amerikanët, të cilat ata më parë nuk planifikonin t’i ofronin; gjithashtu përmendi shmangien e tarifave doganore, me të cilat u kërcënua Evropa, sepse u angazhua për Groenlandën dhe Danimarkën.

Për misionin gjerman në mbështetje të SHBA në Afganistan, ku u vranë shumë ushtarë gjermanë, Merz-i tha se “nuk do të lejojmë që kjo ndërhyrje të përçmohet sot.”

Pastaj, me tone më të buta, ai shtoi se aleanca me SHBA, ende vazhdon të jetë një vlerë në vetvete. Tha se dora jonë do të mbetet e zgjatur drejt SHBA.

Si reaguan deputetët të Bundestagut ndaj këtyre fjalëve?

Debati zbuloi një tablo të ndarë. Parlamentarët e partive në pushtet e vlerësuan fjalimin e kancelarit. Nga ana tjetër, të Gjelbrit dhe Partia e Majtë në opozitë e kritikuan qeverinë Merz, se nuk po distancohet mjaftueshëm nga SHBA; se CDU-ja ka afërsi me lëvizjen MAGA të Trumpit; ndërsa  AfD-ja, partia më e madhe opozitare, parti ultra e djathtë, u shpreh për afrim si ndaj SHBA, ashtu dhe Rusisë.

Kryetari i grupit parlamentar të CDU-së, Jens Spahn u përpoq të mbante një akt balance në fjalën e tij. “SHBA janë partneri ynë”, theksoi ai. Dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë “më shumë të përbashkëta sesa dallime, si në aspektin kulturor ashtu edhe në atë politik”.

Por ajo që ndodhi në Minesota, tha Spahn, “i shqetëson të gjithë ata që e duan këtë vend”. Spahn-i megjithatë u shpreh kundër kritikave të ashpra, ndaj SHBA. Kujdesi është shpesh rruga më e mençur, tha ai.

Po partia më e madhe opozitare, AfD, si reagoi?

Kryetarja e Afd-së, Alice Weidel fillimisht skicoi një tablo të zymtë të situatës ekonomike në Gjermani. Ajo kërkoi më tej që “emigrimi masiv” të “kthehet mbrapsht”.

Shtoi se Amerika është sigurisht një aleat i rëndësishëm, por që mbron interesat e veta.

Edhe Gjermania më në fund, sipas saj, duhet të mbrojë me bindje interesat e veta kombëtare. Sipas kryetares së AfD-së, misioni ushtarak informues që Gjermania ndërmori  në Groenlandë bashkë me evropianët, “dërgimi i një dyzine ushtarësh në Groenlandë dhe tërheqja e tyre të nesërmen është, me gjithë respektin e duhur, një karagjozllëk.”

Weideli e quajti gabim refuzimin për të mos marrë pjesë në Bordin e Paqes, të iniciuar nga Presidenti Trump, të cilin ai e themeloi në Davos. Dihet se Gjermania dhe shtetet e tjera të BE, me përjashtim të Hungarisë dhe Bullgarisë, nuk i janë bashkuar këtij organi, kryesisht sepse e shohin si konkurrent të OKB-së.

Por megjithë deklaratat e djeshme të kryetares së AfD-së: sondazhet tregojnë se vetëm një e treta e anëtarëve të AfD-së kanë mendim pozitiv për Trumpin. Deklaratat e Trumpit për Groenlandën, se do ta merrte atë pa forcë ose me forcë, i kritikuan si “agresive” madje edhe dy kryetarët e AfD-së, Weidel dhe Chrupalla. Edhe në këtë kuadër,  socialdemokratët i thanë AfD-së në Bundestag se ju jeni nacionalistë, pa busull për kohën e sotme.

Cila është raporti i gjermanëve me Shtetet e Bashkuara?

Një sondazh i kryer këtë muaj nga transmetuesi publik ARD, zbuloi se vetëm 12% e gjermanëve e mbështesin administratën aktuale amerikane. Dhe vetëm 15% i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara partnere të besueshme – një nivel historikisht i ulët.

Megjithatë, në Gjermani nuk është i zakonshëm apo i përhapur një qëndrim antiamerikan, si p.sh. në Francë. Por ka hidhërim për mosvlerësimin e Evropës nga SHBA.

Për shumë gjermanë, një ndarje nga SHBA do të ishte gjithsesi një eveniment personal.  Sidomos për brezat e vjetër, ushtarët amerikanë kanë qenë mbrojtës dhe model. Amerikanët vështrohen nga gjermanë të kësaj kohe si shpëtimtarë, si ata që i çliruan nga nazistët dhe ndihmuan rindërtimin më pas me Planin Marshall.

Por sot, mendohet se janë kaluar disa kufi në marrëdhëniet me Evropën: së fundi, kërcënimi nga SHBA me tarifa doganore për Evropën; si dhe potenciali i përplasjes ushtarake në NATO për këtë rast, kanë lënë gjurmë emocionale.

Sa e varur është Gjermania nga Shtetet e Bashkuara?

Varësia më e madhe aktualisht është në çështjet e mbrojtjes, pasi për të tjerat, si p.sh. për sistemet cloud apo sistemet e pagesave, ekzistojnë alternativa evropiane – ndonëse më pak të rehatshme.

Armatimet më moderne, si avionët F-35 Gjermania i ka porositur në SHBA. Nga ana tjetër, nga 84.000 trupat amerikane në Evropë, afërsisht 38.000 ndodhen në Gjermani. Ramstein-i në Gjermani është baza më e madhe jashtë SHBA. SHBA kanë strehuar gjithashtu në jug të Gjermanisë 10 ose 20 bomba bërthamore të tipit B61, edhe si pjesë e politikës së përbashkët të parandalimit brenda NATO-s

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb