Në një prononcim për gazetarët nga selia blu, kryedemokrati Lulzim Basha, tha se Partia Demokratike do të kërkojë një reformë të thellë kushtetuese, me qëllim zgjidhjen e problemeve që haset sot Shqipëria. Ai tha se për ta bërë këtë, do të organizohet një platformë ku do të kërkohet dhe mendimi i qytetarëve.

“Një reformë edhe më e thellë kushtetuese, është një domosdoshmëri dhe në Kuvendin Kombëtar të PD kam përsëritur vendosmërinë time dhe të ekipit tim që përmes një instrumenti bashkëbisedimi, dialogu, me pjesën e gjallë të shoqërisë, të bëjmë gati një reformë të thellë kushtetuese. Duhet zgjidhur edhe këto probleme, por urgjencat janë këto. Sot kemi një republikë të rënë dhe demokraci të vrarë më 25 prill. Një parlament që nuk është përfaqësues i qytetarëve. Çdo pasojë, që nga shtrenjtimi i çmimeve, zanafillën e ka nga kjo, kapja e Shqipërisë nga një grupi njerëzish.

Këto masa s’do të jenë vetëm fillimi i fundit, por fillimi për ta pastruar politikën nga njerëzit e krimit dhe për t’i dhënë shqiptarëve garancinë se vota e tyre do të jetë e lirë, e shenjtë. Pushteti vendor do të jetë i tyre dhe jo i bajraktarëve. Këto janë ato që sot janë depozituar në kuvendin e Shqipërisë dhe krahas iniciativave tona, siç janë reformat territoriale, zgjedhore dhe komisionet hetimore, do të vazhdojnë krah për krah me betejën tonë për qytetarët, ndaj këtyre problemeve, siç janë ato që pamë në ditën e parë me studentët në universitete. Këto janë prioritetet tona dhe asnjë tjetër”, tha Basha.

Për kryedemokratin Basha, ndryshimi i sistemit zgjedhor është një nevojë imediate. Ai tha se është i idesë që një kryeministër nuk mund të qëndrojë më shumë se 8 vite dhe presidenti duhet të zgjidhet nga populli.

“Së pari sa i përket sistemit zgjedhor, nuk ka asnjë pengesë që komisioni zgjedhor të shqyrtojë sistemin zgjedhor të 2008. Unë personalisht kam folur për nevojën pa rritur kostot. I qëndroj asaj që thash që mandati i kryeministrit duhet të jetë jo më shumë se 8 vite. Besoj se një president nga populli është një opsion që nuk duhet përjashtuar. Unë gjykoj se vendi është në krizë që përkeqësohet dita ditës dhe këtu ka nevojë që të lëvizim paralelisht dhe së dyti duhet t’i nënshtrohet një diskutimi të gjerë me shoqërinë. Të gjithë do të japin mundësinë të shprehin mendimet e tyre. Jo të gjithë kemi të drejtë si e shohim një republikë funksionale, por të gjithë kanë të drejtë të thonë fjalën e tyre para se të merren vendime”, tha kryedemokrati.

Pyetjes se a do të jepte dorëheqjen për të mos përçarë Partinë Demokratike, Basha iu përgjigj:

“Nga sondazhet e mia, 95% e demokratëve duan të udhëheq betejën ndaj Rama-Doshi-Rakipi, e të udhëheq betejën për të dalë nga llumi i trazicionit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb