Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, kërkoi zhvillimin e konsultimeve publike me qytetarët dhe grupet e interesit në kuadër të diskutimeve për reformën administrativo-territoriale.
Në një deklaratë para Bashkisë së Tiranës, Teliti kritikoi mungesën e konsultimit me banorët dhe tha se çdo ndryshim duhet të nisë nga nevojat konkrete të qytetarëve. Ai kërkoi organizimin e 30 dëgjesave publike, 24 prej tyre në njësitë administrative të Tiranës dhe 6 me grupe interesi, përfshirë bizneset, fermerët, të rinjtë dhe pensionistët.
Sipas Telitit, Tirana e vitit 2026 ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me vitin 2014 dhe për këtë arsye kërkohet një vlerësim i ri i ndarjes territoriale, kompetencave, përfaqësimit dhe financimit të pushtetit vendor.
Ai akuzoi mazhorancën socialiste se po tenton të çojë përpara propozime pa një konsultim të gjerë dhe paralajmëroi se, nëse këshilltarët socialistë refuzojnë dëgjesat, opozita në Këshillin Bashkiak do t’i organizojë vetë.
“Një reformë e cila nuk fillon me qytetarin dhe nuk mbaron me qytetarin nuk është reformë, por thjesht një vendimmarrje politike”, deklaroi Teliti.
Në fund, ai kërkoi mbledhjen urgjente të Kryesisë së Këshillit Bashkiak për miratimin e një kalendari transparent të konsultimeve, duke theksuar se vendimmarrja për të ardhmen e Tiranës duhet të bazohet te zëri dhe nevojat e qytetarëve.
Deklarata e Telitit:
Në Bashkinë e Tiranës, në kuadër të diskutimeve të ndryshme të cilat po kryhen si pjesë e procesit të reformës territoriale administrative. Pse e kemi bërë këtë gjë? Për disa arsye tejet të rëndësishme. Së pari, ju siç jeni në dijeni, komisioni bipartizan i përbashkët mazhorancë-opozitë parlamentar nuk rezultoi me një produkt konsensual të tijin, i cili përpara se të dështonte në punën e tij si pasojë e vendimit që mazhoranca socialiste në Kuvendin e Shqipërisë ndërmori për ta ndërprerë punën e nisur në mënyrë konsensuale, për sa i përket reformimit administrativ dhe territorial të Republikës së Shqipërisë, nuk kryen as ato hapat bazike që cila është? Që një reformë e qytetarëve, që është reforma vendore praktikisht, duhet të fillojë dhe të mbarojë në qytetarin. A u pyetën qytetarët e Tiranës? Qytetarët e kësaj bashkie prej mbi 1 milion banorësh, që shtrihet që nga Ndroqi e deri në Zall-Bastar? Me një sipërfaqe tejet të madhe, me një popullsi dhe me zona me densitet tejet të lartë? Këtu në Tiranë ku është biznesi, faktori financiar, faktori urbanistik, faktori industrial më i ndjeshëm dhe më prezent se kudo në Shqipëri? A u pyetën qytetarët dhe grupet e interesit në Tiranë?
Jo, nuk u pyetën. A u bë ndonjëherë diskutimi këtu në territorin e Tiranës, në lagjet e Tiranës, në 24 njësitë administrative të Tiranës, për fatin se si po funksionon aktualisht? A është kjo ndarje aktuale e miratuar në vitin 2014, a është kjo ndarja e duhur për sa i përket mirëfunksionimit, dhënies së shërbimeve, dhënies së kompetencave, ushtrimit të kompetencave, delegimit të kompetencave? Po njëkohësisht dhe përfaqësimit të qytetarëve, të grupeve të ndryshme të banorëve në zonat rurale, zonat urbane, zonat periferike e kështu me radhë? Kurrë nuk u bë. Këshilltarët e Tiranës, 61 këshilltarët, socialistë, demokratë dhe të grupeve të tjera, kanë një detyrim të përfaqësojnë interesin e qytetarëve të Tiranës. Dhe kërkesa jonë sot është të zhvishemi nga emocionet politike. Të zhvishemi nga qëndrimet politike, dhe sidomos kjo kërkesë vlen drejtuar këshilltarëve socialistë. Të shkojmë atje te qytetarët e Tiranës. Në 24 njësitë administrative të Tiranës, të kryejmë konsultimet publike me ta. T’i pyesim ata çfarë hallesh kanë. T’i pyesim ata se si ata e shohin pushtetin vendor. T’i pyesim ata se çfarë ata presin nga pushteti vendor. Se si këto kompetenca aktuale apo detyrat aktuale që ka pushteti vendor, konkretisht Bashkia e Tiranës, po ushtrohen ndaj tyre. Se si duhet të jetë skema e financimit buxhetor të Bashkisë së Tiranës. Se si duhet të jetë pavarësia financiare dhe instrumentat e pavarësisë financiare të pushtetit vendor të Tiranës, që është bashkia më e madhe e Shqipërisë dhe është bashkia e kryeqytetit. Bashkia e Tiranës ka 24 njësi administrative, asnjëra prej tyre nuk i ngjan tjetrës. Secila prej tyre ka halle të ndryshme nga njëra-tjetra.
Ke zona siç është Qendra e Tiranës me densitet të lartë, por ke dhe zona periferike, ke dhe zona industriale. Hallet e tyre nuk i ngjajnë njëra-tjetrës dhe detyra jonë si këshilltarë është që përpara se Këshilli Bashkiak të mbajë një qëndrim për sa i përket propozimeve të ndryshme, siç është ai që ka ardhur në fillim të gushtit, një propozim i njëanshëm i mazhorancës socialiste parlamentare për diskutim këtu në Këshillin Bashkiak, ne përpara se të bëjmë çdo lloj diskutimi duhet të shkojmë të pyesim qytetarët. Ndaj thirrja ime sot, dhe thirrja ime sot në emër të faktorit opozitar në Këshillin Bashkiak, është organizimi urgjent me një kalendar të mirëpërcaktuar, duke përcaktuar për çdo dëgjesë datën, orën dhe vendin e takimit paraprakisht, duke siguruar transparencën e plotë edhe mediatike. Të shkojmë te qytetarët, t’i pyesim ata dhe të marrim propozimet e tyre se si ata e mendojnë se Tirana duhet të zhvillohet. Tirana e 2026-ës është ndryshe nga Tirana e 2014-ës. Ka ndryshuar rrënjësisht, problematikat janë shtuar dhe kjo na jep akoma dhe detyrimin akoma dhe më të qartë që të shkojmë te ta, t’i pyesim dhe të marrim mendimin e tyre. Po përveç banorëve të Tiranës, Tirana ka dhe grupe të mëdha interesi. Ka grupet e biznesit, ka grupet e fermerëve. Ka grupe sociale të rinisë, të pensionistëve. Ka grupe të ndryshme, ka operatorë të cilët japin le të themi bashkëpunimin e tyre, kontratat e tyre, marrëveshjet e tyre për të dhënë shërbime në Tiranë.
Dhe ata duhen pyetur, në mënyrë që ne të dalim në një konkluzion i cili është i zhveshur nga të gjitha emocionet politike, por vetëm me një konkluzion dhe me një qëndrim të qartë të Këshillit Bashkiak, mundësisht një qëndrim konsensual, i ardhur vetëm si pasojë e çfarë gjetjesh neve do të konstatojmë në terren. Nëse kjo veprimtari nuk kryhet, kjo do të thotë vetëm diçka: që mazhoranca socialiste në Këshillin Bashkiak nuk ka vullnetin për të diskutuar mbi Tiranën, nuk ka vullnetin për të diskutuar mbi problematikat dhe çështjet që shqetësojnë Tiranën, banorët e saj dhe të gjithë aktorët dhe grupet e interesit, por ka thjesht kartonin në dorë për të miratuar atë se çfarë i thotë politika qendrore e qeverisjes, atë çfarë i thotë kryeministri, atë çfarë i thotë kryetari i tyre i partisë, pa pyetur se kush janë problematikat dhe çështjet që interesojnë çdo qytetar. Në Tiranë banojnë ata që kanë prej vitesh. Në Tiranë shtohen vit për vit të paktën 20 mijë banorë. Domethënë të paktën 7 mijë familje të cilat shtohen vit pas viti dhe vijnë në Tiranë. Çdokush ka të drejtën që të pyetet dhe kjo është pjesë dhe detyruese, e bazuar dhe në parimet e vetëqeverisjes vendore, parimet europiane të asaj Europe që neve të gjithë aspirojmë të integrohemi. Gjëja e parë që duhet bërë është të pyetet qytetari. Njëkohësisht edhe propozimet e njëanshme që kanë ardhur në Këshillin Bashkiak nuk janë as produkt i një konsultimi, jo thjesht me qytetarët e Tiranës, po as i një produkti konsultimi dhe trajakordimi me institucionet ndërkombëtare siç është Këshilli i Europës, autoritetet vendore, të cilat neve i kërkuam, opozita parlamentare i kërkoi që të realizoheshin në Kuvendin e Shqipërisë, por mazhoranca parlamentare me forcën e kartonit, ju jeni shumë mirë në dijeni, që e refuzoi këtë gjë. Ndaj kjo na detyron akoma dhe më shumë ne këshilltarët që të ngrihemi në lartësinë e detyrës për të bërë çmos që të dëgjojmë zërin e qytetarëve. Ju e keni parë që gjatë këtij mandati, i cili tashmë po hyn në vitin e fundit, zëri i qytetarëve të Tiranës është dëgjuar shumë pak. Kemi dëgjuar shumë për abuzime, kemi dëgjuar shumë për tenderat publikë të 5D-së. Kemi dëgjuar shumë për vjedhjet e ndryshme dhe i kemi denoncuar ato. Por ne nuk jemi këtu thjesht për të denoncuar. Ne këtu jemi edhe për të marrë vendime për sa i përket të tashmes, por mbi të gjitha dhe për të ardhmen e Tiranës. Për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të brezave të ardhshëm. Detyra jonë është të shkojmë te qytetarët. Një reformë e cila nuk fillon me qytetarin dhe nuk mbaron me qytetarin nuk është reformë, është thjesht një vendimmarrje politike për të cilën nuk do të shkojë dhe nuk ka për të shkuar në interes të banorëve dhe grupeve të interesit. Nëse ky Këshill Bashkiak vazhdon të reduktohet në një institucion i cili është thjesht një zyrë noteriale e vendimeve që merren në godinën e Kryeministrisë, opozita në Këshillin Bashkiak këtë gjë nuk e pranon. Nëse këshilltarët e mazhorancës nuk do të pranojnë të kryejnë këto konsultime, faktori opozitar në Këshillin Bashkiak do t’i kryejë vetë këto konsultime dhe do të bëjë transparencë të plotë mbi çfarë janë nevojat, sfidat dhe çfarë janë propozimet e qytetarëve të Tiranës, qofshin ata banues të qendrës ku jemi ne këtu, apo qofshin ata banues të fshatit më të largët të Tiranës, për sa i përket se si e konceptojnë ata dhe se çfarë duan ata ta çojnë Tiranën, se si do ta çojnë ata Tiranën përpara sipas mendimit të tyre.
Çdokush ka të drejtën e fjalës, por mbi të gjitha e drejta e fjalës është e zgjedhësve. Nuk është e neve përfaqësuesve të tyre. Ne duhet të flasim pasi zgjedhësit të flasin. Zgjedhësit deri më sot, qytetarët nuk kanë folur dhe derisa ata të flasin ne nuk mund të bëjmë as edhe një hap përpara. Le të shkojmë te qytetarët. Kjo është kërkesa jonë e sotme. Që ne të shkojmë te qytetarët me 30 dëgjesa, 24 dëgjesa për secilën njësi administrative dhe 6 dëgjesa me grupe interesi për të bërë një panoramë të plotë, për të patur një pasqyrë të plotë, ashtu siç i ka pasqyra e kryeministrit, e cila nuk u publikua asnjëherë. Le ta fillojmë këtë pasqyrë nga Tirana. Të bëjmë transparencë mbi çfarë ka nevojë dhe çfarë sfidash ka Tirana. Nëse ne nuk e bëjmë këtë gjë, nëse mazhoranca nuk e bën këtë gjë, ju siguroj që ky Këshill Bashkiak nuk ka arsye të ekzistojë pasi ne jemi këtu për të përfaqësuar jo faktorin politik parlamentar, por jemi këtu për të përfaqësuar faktorin politik lokal, për të përfaqësuar këtu qytetarët e Tiranës, të kësaj bashkie të madhe e cila ka njëmijë e një halle që shtohen dita ditës. Duhet të shkojmë te qytetarët.
Thirrja jonë sot është të mblidhet urgjentisht kryesia e Këshillit Bashkiak, për të rakorduar dhe për të sjellë në Këshill Bashkiak miratimin e një kalendari të qartë dhe transparent për kryerjen e këtyre dëgjesave, të cilat më pas duhet automatikisht të sjellin një qëndrim dhe një produkt konsensual për t’i prezantuar më pas faktorit politik parlamentar i cili më pas ka dhe vendimmarrjen finale për sa i përket reformës, ndryshimeve apo dhe ruajtjes të status quo-së territoriale. Por do të keni diçka parasysh, reforma territoriale administrative nuk është thjesht kufijtë. Janë kompetencat, janë mënyrat se si ushtrohen ato. Janë pavarësia, janë le të themi mënyrat e financimit, skemat e financimit, pavarësia financiare që ato duhet të sigurojnë dhe mund të sigurojnë. Le të shkojmë te qytetarët. Le të shkojmë te qytetarët, për t’i pyetur ata a janë ata të përfaqësuar sot. Se si duhet të bëhen mënyrat e përfaqësimit të tyre në mënyrë që të kemi një produkt i cili shërben vetëm dhe vetëm qytetarëve të Tiranës. Mjaft më me urdhra politikë. Urdhrat politikë e shohim se ku na kanë çuar, na kanë çuar në këtë gjendje që jemi sot ne. Një Tiranë e cila është zhul, një Tiranë e cila ende ka shkolla me dy turne, një Tiranë e cila nuk ka shërbime, një Tiranë e cila vetëm këto ditë të gushtit si pasojë e verës dhe e plazhit kemi mundësi të lëvizim pak më lirshëm në trafik, por keni për ta parë që ditët e para të shtatorit Tirana do të futet përsëri në kaos. Pse? Sepse ky menaxhim aktual, me sa duket nuk është i duhuri. Ka nevojë për një reflektim dhe ky reflektim e përsëris duhet të fillojë dhe të mbarojë me qytetarët.
Gazetari: Nëse mazhoranca në Këshillin Bashkiak nuk do të pranojë këto dëgjesa, a jeni gati ju si opozitë t’i bëni vetë të 30 dëgjesat që kërkoni?
Teliti: Në momentin që mazhoranca në Këshillin Bashkiak, pra grupi i këshilltarëve të Partisë Socialiste, do të refuzojë kërkesën e opozitës, automatikisht ne nuk do të presim. Se ne nuk jemi në ndërgjegjen e tyre për të parë se çfarë duan ata. Detyra jonë është të shohim dhe të bëjmë atë çfarë duan qytetarët. Në momentin që qytetarët nuk janë pyetur as edhe një ditë të vetme, as edhe një orë, as edhe një sekondë të vetme, detyra jonë është të shkojmë te qytetarët. Dhe ne do të shkojmë te qytetarët. Nëse normalja do të ishte ligjore, kushtetuese, ligjore, po edhe morale, dhe detyra jonë e përfaqësimit është që të gjithë bashkarisht, të gjithë ne me bindjet tona të ndryshme politike, edhe me përfaqësimet tona të ndryshme politike, të shkojmë te qytetarët të gjithë bashkarisht. T’i dëgjojmë ata. Nëse mazhoranca e Këshillit Bashkiak refuzon, ju siguroj që opozita këtë detyrë do ta kryejë. Përsëris, ne nuk jemi këtu për të përfaqësuar PS-në, nuk jemi këtu për të përfaqësuar grupet e tjera që janë atashuar mazhorancës. Ne jemi këtu për të përfaqësuar qytetarët e Tiranës.
Kudo qofshin ata, në qendër apo dhe në zonën më të lartë periferike të fshatit më të fundit të Tiranës, të themi në distancë. Do të shkojmë t’i organizojmë vetë, do t’i bëjmë publike, do t’i bëjmë mediatike dhe ju vetë do të jeni dëshmitarë mbi zërin e tyre që do të dëgjohet. Dhe në fund fare ne do të dalim me qëndrimin tonë, më falni, për sa i përket se si duhet, se si do ta mendojë Këshilli Bashkiak i Tiranës, se si duhet ta mendojë rishikimin e të gjithë aspekteve territorial, funksional, të përfaqësimit e kështu me radhë, menaxhimit financiar e kështu me radhë. Zëri duhet të jetë i qytetarëve. Ne nuk jemi askushi. Ne këto pozicione që kemi sot, për katër vjet i kemi. Ndërkohë Tirana është e çdo qytetari, që ditën e parë që ai lind, deri në ditën e fundit që Zoti do t’i marrë jetën. Faleminderit. Faleminderit ju.
