KOSOVE- “Preambula në Kushtetutën e Serbisë, në të cilën precizohet se Kosova është pjesë e territorit të saj, jo vetëm që nuk është në përputhje me zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon, por përplaset edhe me tendencat e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”. Këtë e ka shprehur Doris Pack, deputete e Parlamentit Evropian dhe anëtare e partisë CDU, parti kjo e kancelares gjermane, Angela Merkel, shkruan “Radio Evropa e Lirë”.

Anëtarët e ekipit për veprim në Kuvendin e Serbisë për reformimin e sistemit politik, kanë theksuar se definicioni i Kosovës në preambulën e kushtetutës nuk do të hiqet ose ndryshohet kur të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Doris Pack, duke folur për Shërbimin për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë, thekson se nuk duhet të anashkalohet problemi i definimit të saktë të kufijve të Serbisë dhe numrit të qytetarëve të saj, gjë që është çështje e patejkalueshme për shtetet që mëtojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

“Të gjithë e dinë se deri në momentin kur Serbia do të hyjë në Bashkimin Evropian, çështja e marrëdhënieve me fqinjët duhet të zgjidhet. Kështu që, jam e bindur që do të nevojitet ndryshimi i sërishëm i Kushtetutës së Serbisë, në qoftë se kjo nuk ndodhë tash. Në fakt, ky është moment i mirë për të eliminuar preambulën, por kam përshtypjen se kjo do të ishte e parakohshme, për shkak se politikanët nuk i kanë përgatitur qytetarët. Është përsëritur shumë herë dhe tone të tilla po dëgjohen edhe nga burrështetasit e huaj, se çështja me preambulën, duhet të pastrohet, gjë që nënkupton edhe një ndryshim të Kushtetutës”, tha Pack.

Ajo ka thënë se nuk ka ardhur momenti i hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian, por, sipas saj, çështja e heqjes së preambulës do të aktualizohet përsëri në fund të procesit të negociatave me Bashkimin Evropian dhe autoritetet serbe do të duhet të ballafaqohen me këtë çështje.

Ajo ka shtuar se Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë një shtet, kufijtë e të cilit nuk janë të përcaktuar në mënyrë precize. “Kjo thjesht nuk është e mundur”, ka thënë Pack.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb