Dinamo thuajse bie sërish në Kategorinë e Parë. Ashtu si ndaj Egnatias, blutë janë mundur edhe nga Kastrioti, kësaj here 0-1 dhe tashmë Dinamon vetëm mrekullia mund ta mbajë në Superiore. Ndërsa krutanët i shmangen njëherë e mirë rrezikut të rënies direkt.

Ndeshja foli më shumë për Dinamon, që jo vetëm qarkullonte më shumë topin, por krijonte edhe raste, por gjithsesi, nuk ishte e thënë që topi të hynte në portë. Pjesa e parë përfundoi pa gola.

Edhe e dyta pati ritëm të mirë, me krutanët që më shumë mbroheshin se sa shikonin për këtë shënuar. Por në të vetmin rast që iu afruan portës, pas një goditje këndi në minutën e 69, topi ngec në zonë, aty përfiton Selmani, që gjuan menjëherë drejt portës. Siljanovski, edhe pse i ndodhur pranë shtyllës, nuk mundet dot ta largojë dhe 0-1 për Kastriotin.

Ishte ky gol që bëri diferencën e kësaj ndeshjeje. Krutanët ulin ndjeshëm ritmin në fund, duke kryer edhe zëvendësime, ndërsa blutë janë nervozë dhe të paqartë. Sidibe ndëshkohet me karton në minutën e parë shtesë. Mbyllet 0-1, festë për krutanët, zhgënjim i madh te blutë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb