Eksperti i Sigurisë, Fatjon Softa, ka analizuar ngjarjen e paprecedentë dhe vendimin për të shembur në mënyrë të paligjshme ‘Prestige Resort’. Ai deklaroi se në këtë rast drejtësia nuk do të përfundojë me eksploziv dhe se drejtësia do të flasë në të ardhmen në lidhje me këtë çështje.

Sipas tij drejtësia me dy standarde është sjellje e qeverisjes, jo drejtësi e vërtetë, ndërsa shtoi se ndërtime të tilla nuk kanë pse të prishen kur mund të kompensohen.

“Këtu kemi të bëjmë me vlera, flitet për një strukturë që në momentin që e bllokon i ndalon fitimet dhe këto e rrisin vlerën e saj. Drejtësia nuk përfundon me eksploziv, kjo do jetë një luftë e gjatë për rikuperimin e  vlerës së këtij biznesi. Mendoj se drejtësia ka mundësi të marrë një vendim të drejtë në këtë rast. Flasim për një dëm moral, pasigurie që nuk mund të kompensohet. Nëse janë dokumentacionet atëherë drejtësia nuk do të mungojë. Drejtësia me dy standarde është sjellje e qeverisjes, jo drejtësi e vërtetë. Ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje ka pasur një afat kohor, po t’i referohemi Italisë çdo ndërtim pa leje për periudhën e ligjit është i legalizuar me penalitetet e veta si gjoba apo pagesa të tjera.

Ndërtime të tilla nuk ka pse të prishen kur mund të kompensohen. Kryeministri ka thënë se nuk do legalizojë por do shkatërrojë ndërtesat e ndërtuara për interesa fitimi. Ndërhyrjet me shpërthim bëhen në zona që janë larg zonave të banuara, që nuk mund të rrezikojnë jetë apo të shkaktojnë dëme të tjera. Duhet të jetë krijuar distanca e sigurisë dhe nëse dëmtohen pronat përreth do të kompensohen dhe do kemi sigurisht edhe goditje të ambientit. Strukturat qeveritare duhet të jenë të balancuara, mungesa e balancave sjell pasoja të tilla që pavarësisht nga ngjyra e flamurit je në rrezik kur pushteti është i pakontrolluar”, tha Softa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb