Policia e Fierit ka proceduar penalisht një 17-vjeçar pasi në rrjetet sociale ka qarkulluar një video, në të cilën i riu me inicialet E.N. shihej duke bërë drift në vendin e quajtur “Rotondo e Sharrës”.

Blutë e qytetit bëjnë me dije se i riu ka bërë drift dhe manovra të rrezikshme në rrugë dhe gjithashtu nuk është i pajisur me leje drejtimi, pasi ligji në Shqipëri parashikon që një person që ka arritur moshën madhore 18 vjeç mund të zotërojë një patentë.

Gjithashtu i proceduar penalisht ka përfunduar edhe i ati i 17-vjeçarit, pasi nuk ishte i pajisur me leje drejtimi teksa qëndronte në timonin e mjetit tip “Citroen”.

Njoftimi i policisë:

Procedohet penalisht edhe pronari i automjetit (babai i drejtuesit), pasi rezultoi se kishte drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, në të cilën shfaqej një automjet tip “Citroen”, drejtuesi i të cilit po bënte drift dhe manovra të rrezikshme, në vendin e quajtur “Rotondo e sharrës”, Fier, shërbimet e Policisë Rrugore Fier bënë të mundur identifikimin e drejtuesit të automjetit.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin E. N., 17 vjeç, banues në Ndërnënas, Fier, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, pasi ka bërë drift dhe manovra të rrezikshme, me automjetin tip “Citroen”, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi.

Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se automjeti është drejtuar pa leje drejtimi edhe nga pronari, shtetasi A. N., 53 vjeç, banues në Ndërnënas, Fier (babai i 17-vjeçarit), për të cilin filloi gjithashtu procedimi penal për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb