Drita dhe Gjilani janë ndarë në paqe në derbin e madh të Anamoravës, në kuadër të javës së gjashtë në Albi Mall Superligë. Ndeshja e zhvilluar të dielën mbrëma nën dritën e reflektorëve përfundoi 0:0, pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat.

Rastin më të mirë të ndeshjes e pati Gjilani në pjesën e parë, kur Robert Rrahmani u gjend në pozitë të favorshme, por dy tentimet e tij u ndal nga portieri i Dritës, Faton Maloku.

Ky ishte barazimi i dytë për kampionen e Kosovës, e cila deri tani ka regjistruar edhe dy fitore dhe një humbje. Me një ndeshje më pak të zhvilluar, Drita ka 8 pikë dhe renditet në vendin e gjashtë.

Gjilani, në anën tjetër, regjistroi barazimin e dytë të sezonit. Me tri fitore dhe një humbje, skuadra gjilanase ka grumbulluar 11 pikë dhe vazhdon të jetë në pjesën e sipërme të tabelës.

Ndërkaq në Klinë, Prishtina ka regjistruar fitoren e pestë radhazi në kampionat, duke mposhtur Feronikelin 74, me rezultat 3:0.

Ndeshja, e zhvilluar në stadiumin “18 Qershori”, u zhbllokua në minutën e 33-të. Assane Diatta, pas asistimit të Arijanit Fazlijës, realizoi një gol spektakolar me goditje gërshërë për epërsinë 1:0.

Prishtina e dyfishoi avantazhin në minutën e 61-të. Këtë herë ishte Fazlija që shënoi me kokë pas harkimit të Albin Krasniqit.

Fitoren bindëse të prishtinasve e vulosi sërish Diatta në minutën e 92-të, duke realizuar golin e tij të dytë në këtë takim dhe të tretin për skuadrën.

Me këtë fitore, Prishtina kryeson tabelën me 15 pikë, ndërsa ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

Feronikeli 74 mbetet në pozitën e parafundit me 3 pikë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb