Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, këshilloi të gjithë turistët të zgjedhin bregdetin e këtij qyteti për të kaluar pushimet verore.

Në një intervistë për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, kryebashkiaku Leli tha se koronavirusi është kudo i rrezikshëm, ndaj dhe qytetarët duhet të shfrytëzojnë hapësirën e shëndetshme që iu ofron deti.

I pyetur nga gazetari Balla se “Sa mund të ketë arritur dëmi i kësaj situate?”, kryebashkiaku u shpreh “Nuk besoj se jemi në gjendje të kemi një shifër të saktë. Çdo gjë varet nga fluksi si kanë jetuar bizneset vite më parë për të bërë këtë statistikë. Në fund të sezonit do të dalë shifra. Ne vendosëm që bizneset të mos paguajnë për katër muaj taksën ndaj bashkisë. Edhe detyrimet janë shtyrë. Ju jemi gjendur pranë bizneseve të hotelerisë, të cilëve iu kemi ulur një taksë. Gjithë njerëzimi po përballet me këtë situatë. Ne po gjejmë mekanizmat e mirë për të ecur përpara. Sigurisht që kemi shumë akoma për të bërë, por duhet të promovojmë anët pozitive të turizmit. Sot duhet të ketë më tepër klimë pozitive për të bërë ekonomi. Ne presim turizëm, sepse me të kemi garanci për të rritur ekonominë”.

Çfarë janë ato punimet aty?
Do kemi plazh, pishinë për fëmijë, është një projekt që do të ndryshojë tërësisht pamjen e zonës. Më tej do vijojë drejt Orikumit, për të krijuar korsi bicikletash, trotuar, ndriçim.

Rama iu ka ndihmuar apo iu ka penguar?
Gjatë gjithë kësaj kohe që jam në krye të bashkisë kam ndjerë një mbështetje të jashtëzakonshme dhe pozitive. Mbështetja e kryeministrit ka qenë në detaje për cdo punë të realizuar në terren. Qasja pozitive nuk është vetëm politike, por është strategjike për të garantuar turizëm të qëndrueshëm. Cdo investim që është realizuar këtu ka justifikuar më së miri shpenzimin e parave publike. Produkti që ka mbërritur sot dhe që është i prekshëm është shumë pozitiv dhe na bën të krenohemi të gjithëve.

Për cfarë ankohen më shumë qytetarët e Vlorës?
Nëse flasim lidhur me pandeminë them se deri në momentin që ka qenë periudha e karantinës mirëkuptimi ka qenë fantastik. Duhet të jemi mirëkuptues për të ruajtur distancën, të përshtasim sjelljen njerëzore në atë që shkenca do të sjellë ditë pas dite. Sjellja jonë duhet të ketë përmirësim në favor të situatës, për të pas më shumë vizitorë dhe për të mos rrezikuar jetën e njerëzve.

Këtu ka një grup njerëzish që punojnë për të evidentuar cdo rast problematik, që mund të bëhet burim për shpërndarjen e virusit. Covid është kudo, qytetarët le të spostojnë jetët, duke pushuar. Pandemia është e rrezikshme kudo ku ndodhemi, kështu që unë mendoj se pse të mos e shfrytëzojmë hapësirën e shëndetshme që deti na ofron. Qasja e turistëve në fundjava ka qenë e kënaqshme. Ka prenotime dhe në kohë të gjatë në hoteleri, por edhe në banesa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb