TIRANË

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka treguar arsyet e përplasjes me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Presidentin e saj Armand Duka në këtë çast. Ai tha në News24 se reagimi erdhi pas vendimit për të kandiduar për mandatin e gjashtë.

“Gjithmonë jam duke bërë detyrën time. Para një jave po flisja për detyrën time tek 5 maji, përpara 2 javëve për të tjera detyra. Nëse më thua beteja nuk vlen se duhet ta kishe filluar më para, kjo nuk ka logjikë. Asnjëherë nuk është vonë për të bërë punën e duhur. Kur shikoj që dikush thotë që për herë të gjashtë dua të vazhdoj paligjshmërinë, kjo është diçka që ma fyen inteligjencën. Kur dëgjova që me metodat e një bande dhe një kupole mafioze do të imponohet në Tiranën e 2022, kjo më irritoi pak. Unë dua të jem tek faqja e historisë ‘kush i qëndroi përballë kësaj bande’. Në fund fiton e mira”, deklaroi Veliaj.

Lidhur me kallëzimin penal për dy funksionarë të FSHF, Veliaj tha se është detyra e institucioneve të bëjnë punën e tyre.
“Patjetër që FSHF i konsideron të rregullta dhe shitjen e ndeshjeve dhe mënyrën si vidhen paratë. Bëjnë zyra 8 mln euro. Ky nuk është Duka e Wembley është Duka i Shijakut.
Janë 50 shoqata futbolli në Tiranë, me emra të ndryshme të cilat shkojnë të votojnë. Kur shkojnë 50 shoqata gjejnë 67 veta. Një muaj më parë lista ngrin. Kur lista shtohet me 20% me njerëz të panjohur, por edhe brenda këtyre shoqatave ka një emër në vend të një tjetri. Krejt papritur gjen që jo vetëm të tjerë, por të kanë zëvendësuar dhe ty. Nuk janë legjitimë. Këta mund ta bëjnë këtë lojën me bikerina dhe vezë në Shijak, por jo në Tiranë. Është detyra e institucioneve të bëjnë punën e tyre. Duhet të thonë a u votua kjo listë, a u shtuan njerëz të tjerë. A ka ndonjë Erion që votoi i paautorizuar. Erdhën njerëz nga Shijaku që nuk e dinin ku ishte FSHF. Kjo është me ta fy inteligjencën ditën për diell.”, tha Veliaj

Kryebashkiaku deklaroi më tej se shumica e presidentëve të klubeve të futbollit janë nën një trysni të jashtëzakonshme. “E para e punës nuk kanë ku apelojnë. Ai i ngre nga kategoria, ai i ul nga kategoria. Me dy arbitër të paraporositur mund të humbasësh ndeshjen. Me dy penallti mund të dalësh nga një kategori për një tjetër. Është e rëndësishme ajo që po ndodh me krijimin e institucioneve, për të apeluar në sport. Sot jemi më mirë se dje, kemi drejtësi më të fortë, por po krijuan dhe institucione të reja brenda drejtësisë sportive.
Hapini rrogat e Federatës, si mund të paguhet një punonjës i Federatës 3 herë sa një ministër, sa rroga e Presidentit. Jam në këtë ring që të grushtoj për çdo prind që kursen ato lekë që fëmija të ecë dhe në finale hiqet”, tha Veliaj.

I pyetur nëse ka kontakte me drejtuesit e UEFA-s, ai tha se sot ka takuar shumë anëtarë të trupit diplomatik dhe ambasadorin e Zvicrës dhe se vetë UEFA e FIFA na kanë shembullin më të mirë se si është vepruar në raste të tilla.

“Kjo është bërë lojë prej disa vitesh. Unë jam kryetar i bashkisë së Tiranës jam 34% aksioner i klubit. Jam investitori më i madh në terrene sportive. Të shkojë gjithë kjo punë kot sepse në finale vendos Duka i Shijakut kjo është poshtëruese. Sot kam takuar shumë anëtarë të trupit diplomatik dhe ambasadorin e Zvicrës. Zvicra na dha shembullin se askush nuk është i paprekshëm. U kontrolluan, u dënuan nga FIFA dhe UEFA vetë udhëheqësit e tyre. Vetë UEFA e FIFA na kanë shembullin më të mirë. A jam i keqardhur që është lënduar Sul Mema, patjetër dhe i kërkoj shumë ndjesë. Por a është e vërtetë që kemi të bëjmë me një klan dhe kjo duhet adresuar. Shumë ndjesë kush është fyer, përfshi dhe profesorin e nderuar, por kur tjetri vjen të përqafon në zyrë dhe pastaj del e thotë bëri kërcënime kjo nuk është e drejtë. Le të pranojmë që këtu ndodhin disa çudira të jashtëzakonshme. përderisa FIFA dhe UEFA na dha shembullin se e keqja duhet të largohet dhe kur është Platini me gjithë ata topa të artë, e keqja duhet të largohet. Jam i vendosur të bëj betejën time. Kush e ndjen që duhet çliruar sporti nga kjo mafie duhet të bëhet pjesë. Kjo është një betejë për dinjitet dhe jo për interes personal”, deklaroi Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb