Ushtruesi i detyrës së ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti, ku në fokus të diskutimit ka qenë situata e tensionuar e krijuar prej disa ditësh në kufij me Serbinë, për shkak të vendosjes së reciprocitetit të targës nga Kosova.

Pas takimit me Kurtin, Giacobbe ka shkruar në ‘Twitter’ se ishte një takim i mbarë me kryeministrin Kurti mbi rëndësinë dhe riangazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Takim i mbarë me Kryeministrin Alin Kurt, mbi rëndësinë dhe riangazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE për zgjidhjen e targave dhe çështje të tjera. Nevojiten hapa të menjëhershëm për të zvogëluar tensionet. Veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruara që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar ambasadori Giacobbe në Twitter.

Ndryshe që nga vendosja e masave të reciprocitetit me Serbinë për targa, situata në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdon të jetë nën kontroll të Policisë së Kosovës.

Qytetarët serb kanë bllokuar që nga e hëna rrugët në këto dy pikë kalime kufitare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb