Pedagogia Jonila Godole, ka komentuar situatën në Partinë Demokratike, si dhe pozitën në të cilën gjendet kjo parti kur na ndajnë vetëm dy muaj nga zgjedhjet lokale të 14 majit.

E ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Godole u shpreh se e sheh të vështirë bashkëpunimin mes dy grupimeve brenda PD, referuar gjuhës së përdorur nga të dyja palët gjatë kësaj kohe, dhe duke mos harruar 8 janarin, të cilin ajo e konsideroi si momenti që PD arriti fundin dhe ku përplasjet brenda saj u bënë për shkak të interesave personale të një apo dy personave, referuar lidershipit të secilës palë.

“Grupi Alibeaj shtriu dorën e bashkëpunimit për grupin tjetër. Më duket shumë pozitive, nëse do të isha në mbledhje do ta kisha vlerësuar këtë hap si pozitiv. Nuk ishte dora e parë e zgjatur për Foltoren. Lista e kandidatëve të Primareve të mos merret apriori, por të përzgjidheshin kandidatët më të mirë, jo për inat të palës tjetër, por grupimet të ulen e të diskutojnë për të zgjedhur kandidatët më të mirë që të mbulohet puna e pabërë deri tani”.

Godole u shpreh se “kryesia e partisë për fat të keq është mbledhur shumë pak dhe se PD po shkon në zgjedhjet lokale pa bërë shumë punë në terren”.

Problemet brenda PD nuk janë të rrafshit ideologjik, por erdhën si pasojë përplasjes së interesave personale të të dy liderëve, atij historik dhe tjetrit që ka dhënë dorëheqjen. Nëse të dy do të kishin bërë një hap pas për të mirën e partisë, do të ishte hapur gara brenda partisë dhe mbase nuk do të ishim në këtë situatë ku ndodhemi sot.

Koalicioni me zotin Meta sipas Godoles është e vetmja zgjidhje që i mbetet Foltores në dorë për zgjedhjet lokale, nëse nuk pranohet bashkëpunimi me pjesën tjetër. Ky do të ishte një koalicion “i pamoralshëm” sipas saj, edhe pse pragmatist, por do ta dëmtonte Foltoren dhe PD në përgjithësi.

Duhet të ndahemi nga e shkuara. Flas edhe për pasojat e komunizmit tek drejtuesit e partive, mënyra e lidershipit dhe demokracia e brendshme e partive. Nuk ka një drejtues dhe një parti deri tani që të themi se ngjan me modelet perëndimore.

3 marsin nuk e shoh si përfundimtare, por fillimin e një negociate bashkimi ku të dyja palët duhet të bëjnë një hap pas, të peshojnë se çfarë u leverdis më tepër, bashkëpunimi me një parti të majtë, apo të pranojnë gabimet e bëra deri tani. PD është një parti e re 32-33 vjeçare dhe i falen gabimet. Palët duhet të dënojnë 8 janarin, ku u përleshëm me njëri-tjetrin për interesa personale të një apo dy personave. Duhet të pranohet mendimi ndryshe për të mirën e partisë, sepse në fund partia është ajo që mbetet. Vendi ka nevojë për opozitë të fortë prandaj palët duhet ta gjejnë gjuhën e bashkëpunimit.

Ende nuk dëgjoj zërin ndryshe në grupimin e Rithemelimit. Zëri kritik në PD-në „zyrtare“ dëgjohet, por nuk ka sjellë ndryshim, nuk ka reflektim. Dhe nëse nuk je militant që t‘i bashkohesh kësaj partie për interesa të vogla pragmatiste, por do që të lësh një gjurmë, vjen një moment ku heq dorë dhe largohesh”, deklaroi pedagogia.
Godole tha gjithashtu se e sheh të pamundur që PD të dalë fituese nga zgjedhjet lokale, kjo edhe nëse arrihet një marrëveshje bashkëpunimi mes dy grupimeve.

Sipas saj, PS e ka mbaruar me kohë fushatën e saj për 14 majin dhe ka hedhur sytë nga zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që PD është në një situatë të tillë jo të favorshme.

“Një moment i mirë që të dyja palët të përtypin gabimet, të ulin kokën e të pranojnë secili fajet e tyre. Nuk do të jetë e lehtë, sepse askush nuk do që të humbasë fytyrën, të dalë i turpëruar. Por është një proces që duhet kryer. Duhet hapur gara brenda partisë. Dhe duhen përzgjedhur kandidatë që të shprehen qartë pro frymës euro-atlantike, SHBA, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian. Dhe jam kurioze nëse kandidatët e grupit të Rithemelimit do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë”, u shpreh Godole.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: