Ish-Presidenti Barak Obama, i cili ka qëndruar larg syrit të publikut prej momentit që u largua nga Shtëpia e Bardhë, hyri të premten në betejën e zgjedhjeve të mesmandatit për Kongresin me një shprehje të thjeshtë: “Duhet të votoni sepse demokracia jonë varet nga vota juaj”.

“Mjaft të shohësh lajmet kryesore të ditëve të fundit për të kuptuar se ky është një moment vërtet i ndryshëm. Shumë gjëra janë në lojë. Pasojat për secilin prej nesh që qëndron mënjanë janë më të rënda”, u tha zoti Obama studentëve të Universitetit Champaign-Urbana të Ilinoi-it, ku u nderua me një çmim lidhur me etikën në qeverisje, trasmeton VOA. Duke iu përmbajtur traditës, zoti Obama ka qenë ngurrues për të bërë komente publike ndaj pasuesit të tij presidentit Donald Trump, pavarësisht faktit që ky i fundit ka qenë një kritik i vazhdueshëm i tij.

Ish-presidenti tha se situata aktuale politike në Uashington nuk nisi me Donald Trumpin, ai është vetëm një sipmtomë dhe jo shkaku. Ai thjesht po shfrytëzon pakënaqësitë që politikanët përhapin prej kohësh. Frikën dhe zemërimin që i ka rrënjët tek e shkuara, por që është produkt i ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur gjatë jetëve tona të shkurtra.

Zoti Obama u bëri thirrje studentëve të marrin pjesë në votimet e nëntorit duke theksuar se vetëm një në pesë të rinj me të drejtë vote votuan në zgjedhjet e vitit 2016.

“Ky projekt i vetëqeverisjes do të funksionojë vetëm nëse gjithësecili bën atë që i takon. Mos më thoni se vota juaj nuk ka rëndësi”, tha ish-presidenti.

Dalja e zotit Obama përpara studentëve në kampusin e Ilinoit qendor, është e para nga disa takime të fushatës zgjedhore në javët në vazhdim ku ai do të t’u kërkojë votuesve demokratë të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit me qëllim që të marrin kontrollin e Kongresit nga Partia Republikane e Donald Trump-it./voa

Etiketa: