Dy vatra zjarri vijojnë të mbeten aktive në Qarkun e Elbasanit, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencës po punojnë në terren për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Një nga vatrat ndodhet në fshatin Shqiponjë, në Njësinë Administrative Stravaj të bashkisë Prrenjas, ku ndërhyrja e ekipeve të emergjencës po vijon për të frenuar përhapjen e zjarrit në zonën e prekur.

Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri mbetet aktive në një zonë të thellë pyjore në fshatin Dardhë, në Njësinë Administrative Hotolisht të bashkisë Librazhd. Zjarri në këtë masiv me ah ka vijuar prej rreth një jave, duke bërë që ekipet në terren të punojnë intensivisht për shuarjen e plotë të flakëve.

Për shkak të terrenit të vështirë malor dhe dendësisë së bimësisë, ndërhyrja në këto zona paraqet vështirësi, ndërsa prioritet mbetet izolimi i vatrave dhe parandalimi i përhapjes së zjarrit në sipërfaqe të tjera pyjore. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa forcat e angazhuara mbeten në gatishmëri për çdo përkeqësim të mundshëm të situatës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: