Arrestimi i gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxha u trumbetua si pikënisja e mbledhjes së fryteve të para të reformës në drejtësi.

Ndërkohë në Këshillin e Lartë Gjyqësor, i cili konsiderohet kupola apo rregullatori i gjyqësorit, vijojnë të qëndrojnë anëtarë të zgjedhur në mënyrë të kundraligjshme.

Njëri prej tyre është Alban Toro, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, në përbërje të KLGJ nga radhët e avokatëve.

  • foto galeri
  • foto galeri

Skandali i përzgjedhjes së Alban Toros u zbulua muaj më parë, por ai vijon ende të jetë në detyrë. Toro ka falsifikuar të dhënat, që kanë të bëjnë me ushtrimin e profesionit si avokat 10 vite pa ndërprerje, ashtu siç është përcaktuar në ligj. Duke ju referuar të dhënave të qendrës kombëtare të biznesit rezulton se Alban Toro nga data 02 Mars 2010 deri në datën 20 shtator 2011 e ka pezulluar ushtrimin e aktivitetit si avokat për afro 1 vit e gjysmë.

Më pas, ai e ka ushtruar profesionin nga data 20 shtator 2011 deri në datën 27 shkurt 2018.Por aktiviteti ka rinisur brenda 2 muajsh, për t’u pezulluar sërish në 21 dhjetor 2018, kohë kur mori detyrën si anëtar i KLGJ me mandat 5-vjeçar, i vlefshëm deri në dhjetor 2023.

Gjithashtu News24 ka zbuluar se në kohën kur Alban Toro ka paraqitur dokumentet në kuvend, si kandidat për anëtar i KLGJ i është kërkuar një shkresë nga tatimet, për të vërtetuar se nuk e kishte ndërprerë punën si avokat në 10 vitet e fundit, çka përbënte një ndër kushtet e përzgjedhjes.

Përgjigjja që është marrë nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve ka qenë e tillë. “Vërtetojmë se Tatim paguesi Alban Toro me objekt aktiviteti, ‘aktivitete juridike’, për periudhën deri në 18/05/2017 nuk ka detyrim tatimor për tatimin mbi vlerën e shtuar, tatim e thjeshtuar mbi fitimin, kontributet të sigurimeve shoqërore shëndetësore, tatim mbi të ardhurat nga punësimi”.

Parlamenti e ka anashkaluar këtë fakt dhe pavarësisht dyshimeve për mospërmbushje të kritereve e ka përzgjedhur Alban Toron si anëtar të KLGJ. Pak ditë më parë avokati Ndue Pjetra në emër të shoqatës së avokatëve antikurrupsion ka kallëzuar në SPAK anëtarin e KLGJ-së Alban Toro, në akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb