Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar sërish mënyrën e ftesës së tij për dialog me studentët, të cilët prej dy javësh vijojnë protestat duke kërkuar dorëheqjen e tij.
Këtë të hënë, përpara godinës së Kryeministrisë është vendosur një gur në formën e një tavoline, si një tjetër simbol i ftesës së kreut të qeverisë për dialog me të rinjtë.
Ndryshe nga ditët e mëparshme, kur përpara Kryeministrisë ishin vendosur karrige, këtë herë është zgjedhur një tavolinë prej guri.
Ky ndryshim vjen pasi studentët, gjatë protestave të ditëve të fundit, u kanë vënë flakën karrigeve të dialogut dhe kanë rrokullisur gurët e vendosur më herët nga kryeministri, duke shprehur në këtë mënyrë refuzimin e tyre për t’u ulur në bisedime.
Pavarësisht ftesave të përsëritura të Ramës, studentët kanë vijuar të këmbëngulin në kërkesën për largimin e tij nga posti i kryeministrit, duke e konsideruar dialogun të papranueshëm për sa kohë kjo kërkesë nuk plotësohet.
