SHKODER – Problemet me të cilat po hasen invalidët e Shkodrës dhe prindërit që kujdesen për ta, duket se nuk po gjejnë zgjidhje. Mohimi për udhëtimin falas me mjetet e transportit urban dhe mosmarrja e kempit prej dy muajsh, po detyron këta të fundit që të hidhen në protesta. Ditën e djeshme, invalidët u mblodhën para bankës me shpresën se do të merrnin paratë e dy muajve, por janë zhgënjyer sërish. Të revoltuar, ata u shprehën se “më parë lekët i merrnim në bashki, ndërsa tani i marrim në bankë.

Ndërkohë që banka na mban për çdo muaj interesin, që për ne është tepër i lartë. Nuk e kuptojmë pse bëhet kjo gjë. Nga ana tjetër u bënë dy muaj që nuk marrim kempin e invaliditetit, në një kohë që gjithë qytetet e tjera, me sa kemi dijeni, nuk e kanë këtë problem. Nuk kalohet kështu, jemi të sëmurë dhe kemi nevojë për ilaçe. Ne do të hidhemi në protesta derisa qeveria të na plotësojë kërkesat. Shoqëria private e transportit urban po shkel ligjin për statusin e invalidit, ku është parashtruar qartë se udhëtimi me mjetet e transportit shtetëror dhe privat është falas.

Ndërsa bashkia, edhe pse ka rolin kryesor në këtë ngërç të krijuar, vazhdon me indiferentizmin e saj”. Gjithashtu, invalidët thanë për “Gazeta Shqiptare” se për problemet në fjalë janë ankuar disa herë në bashki dhe se ky institucion i ka çuar në Prefekturë, ndërsa nuk është marrë asnjë masë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: