TIRANË

Personat me aftësi të kufizuara dhe pensionistët janë dy kategoritë që e kanë vuajtur dhe po e vuajnë më shumë rritjen e çmimeve dhe krizën ekonomike teksa përballen me pamundësinë për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme.

Emisioni “Koha për t’u zgjuar” në News24 me gazetarin Ervin Peçi është kthyer në dritaren dhe mundësinë e tyre për të shprehur këto shqetësime.

Mëngjesin e sotëm një qytetare tha se nuk mund të ngrihet dot nga shtrati, por se i kanë ulur pagesën nga 118 mijë lekë të vjetra në 70 mijë, duke shpërthyer në akuza për kryeministrin Edi Rama.

“Jam me aftësi të kufizuara. Nuk ngrihem dot nga krevati, kryeministri na e ka prerë rrogën. Ça do bëj me 70 mijë lekë. I ka lojtur mendja që kërkon votën time. Merrja 118 mijë lekë, tani marr 70 mijë. Çfarë janë këto budallallëqe. Çfarë të paguaj me 70 mijë lekë, drita, ujë apo ilaçe. Një ilaç e marr 90 mijë lekë. Çfarë po bën ky? Ky është për në Elbasan. Se po e shthurim gojën nga e keqja. Nuk kemi lekë për bukë”, tha qytetarja.

Një tjetër i bëri thirrje qytetarëve të mos e shesin votën për një thes miell.
“Kjo qeverisja e sotme vetëm po i merr banorëve, qytetarëve pronat, tokat. E patë ekskavatorin mbrëmë që prishën derën e një prone private. Atë derë që e ka punuar me duar të arta ky i vë kazmën. Prishi pishinat, hotelin, që aty ata njerëz që ishin pa shtëpi pas tërmetit e kaluan aty. A kanë turp ata opinionistë, gazetarë që ulen në tavolinë me qeveritarët. Frrok Çupi, Spartak Ngjela, Kreshnik Spahiu. Populli është për t’i marrë zvarrë këta që nuk flasin të vërtetën, që janë nëpër studio. Shqipërinë në NATO kush e futi, liberalizoi vizat, rriti rrogat e pensionet, doktor Sali Berisha. I bëri të gjithë me shtëpi. Dhe të përndjekurve politikë ua dha shtëpinë pa lekë. Ju lutem mos e shisni votën për një thes miell, mos e largoni rininë se është gjynah nga Zoti. Shqipëria është e shqiptarëve dhe ta gëzojnë shqiptarët se është një vend i bekuar”, tha ajo.

Më tej një pensionist kërkoi rritjen e pensioneve, pasi jeta është e papërballueshme.
“Po ky të na ngrinte pensionet. Ça do bëjmë ne me 50 mijë lekë. Me 150 mijë lekë pension a do lajmë dritat dhe ujin apo do hamë. Të ngrejë pensionet se vdiqëm. Or ti po na vdiq ky mor”, tha ai.

Një tjetër qytetar qytetar tha se Rama e ka të sigurt fitoren pasi ka të gjitha bashkitë dhe se njerëzit nuk mund të votojnë për Berishën pasi iu heqin bukën e gojës.

“Asgjë nuk po bëjnë për popullin, mbjellin ato pemë dhe nuk mendojnë për popullin fare. Nuk harxhon për fushatë se e di që e ka fituar se i ka të gjitha bashkitë që ia la Luli. E ka të sigurume ai o babë, e di. Ky vend nuk bëhet. Ne e shohim, një copë rrugë këtu në Elbasan në lagjen Skënderbej, na kanë lanë pa e rregulluar vetëm se jemi demokratë. Duhet një revoltë. Boçi është njeriu më i mirë në botë, por nuk e merr, nuk ia japin dot votën se i marrin kempin. Jam unë demokrat dhe nuk flas dot. Nuk iki dot të them se do votoj për Berishën se më heq kempin. Të më heqin kempin unë vdes për bukë”, tha ai.

“Jemi pensionistë dhe nuk na dalin për asgjë. Ata qeveritarët sikur gardërobat e grave të shesin ne na plotësojnë. Kaq të varfër janë këta që nuk mendojnë për pensionistët që marrin nga 70 mijë apo 100 mijë lekë. Të rrisë pensionet”, u shpreh një tjetër pensionist.
Pati dhe nga ata që bënë thirrje për të bojkotuar Ramën. “Bojkotoni Ramën, mos e nxirrni në televizor. Bashkohuni ju mediat, a mund t’i bojkotoni këta politikanë. Këta që ka bërë me ju, me Ora News, si mundet të mos u bojkotoni. Më vjen keq që nuk u bë ky popull t’i përmbysë këta”, tha një qytetar nga Zvicra.

Një i moshuar foli për problemet me pronat. Ai deklaroi se ka fituar në shkallën e parë, por se ende nuk ka një vendim përfundimtar prej 7 vitesh.

“Çfarë bëhet me këto gjykata. Kemi 7-8 vjet që kemi fituar gjyqin në Gjykatën Administrative dhe asgjë s’po bëhet. Kur do zgjidhen, kur të mbyllim sytë?”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb