Të paktën 27 persona kanë humbur jetën në dy sulme me armë në dy qytetet kryesore të Afrikës së Jugut, Johannesburg dhe Cape Toun, ndërsa 26 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Policia bëri të ditur se autorët ende nuk janë arrestuar.

Sulmi i parë ndodhi të shtunën në mbrëmje, në një lokal në perëndim të Johannesburgut. Sipas policisë, tetë persona të armatosur me pushkë hynë në ambientet e lokalit dhe hapën zjarr ndaj klientëve.

Autorët qëlluan fillimisht ndaj personave që po konsumonin pije jashtë lokalit dhe më pas vijuan të shtënat brenda tij. Si pasojë, 17 persona u vranë, mes tyre 13 burra dhe katër gra, ndërsa 15 të tjerë u plagosën.

Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë. Policia tha se autorët dogjën edhe dy automjete para se të largoheshin nga vendngjarja. Një tjetër sulm me armë ndodhi në orët e para të së dielës, në një ambient argëtimi në një zonë të banuar jashtë Cape Toun. Burrat e armatosur hapën zjarr, duke vrarë 10 persona dhe plagosur 11 të tjerë.

Pesë prej viktimave u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa pesë të tjerët humbën jetën gjatë transportimit për në spital. Deri tani, nuk ka asnjë të arrestuar për asnjërin prej dy sulmeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb