I quajtur si Samiti i Tiranës, asgjë më shumë se një paradë liderësh, por që nuk sjell asgjë të re, për sa i përket integrimit në BE, për Ballkanin Perëndimorë. Por, në çdo rrethanë do të ketë një impakt në rajon. Po çfarë është në vetvete shengeni? Është një marrëveshje e arritur në vitin 1985 në një qytet në Luksemburg, në kufi mes Francës dhe Gjermanisë. Një marrëveshje që përkthehet në: lëvizje e lirë pa kontrolle kufitare të njerëzve dhe mallrave. BE-së, iu deshën plot 28 vite për të arritur në këtë marrëveshje. Lëvizja e lirë e njerëzve ishte një ndër pikat kryesore të Traktatit të Romës i vitit 1957. Një prej dy traktateve më të rëndësishme, që krijuan atë që sot njihet si BE-ja.

Jashtë familjes europiane, sot janë vetëm 5 ish-anëtarët e Jugosllavisë, plus Shqipëria. Nisma për krijimin e mini-shengenit ka bërë bashkë Maqedoninë, Serbinë dhe Shqipërinë, ndërsa Mali i Zi, duket akoma i pavendosur. Për këtë të fundit, pjesëmarrja në këtë nismë duket edhe më e zbehte mbas sulmit të ambasadës Malazeze në Beograd. Shengeni, u nis si një politikë për të bashkuar një kontinent që kishte parë dy luftëra botërore shkatërrimtare, e që kërcënohej nga Bashkimi Sovjetik në lindje. Kurse mini-shengeni, si një alternativë pasi të gjitha vendet pjesëmarrëse, do duan dekada për t’iu bashkuar BE.

I gjithë procesi i ngritjes së BE-së, u bë pasi Gjermania, e kishte pranuar rolin dhe fajin e saj në të dy luftërat botërore. Ish-Kancelari gjerman, Adenauer kishte ndërmarrë një politikë konstante dhe nga më uniket në historinë e njerëzimit. E njohur si de-nazifikimi total. Kishte pranuar krimet që kishin kryer nazistët në mbarë Europën, në emër të çdo gjermani. Aq rrënjësore ishte politika e de-nazifikimit e Adenuerit, sa ndaloi edhe leximin apo botimin e librave dhe materialeve, të shkruara nga liderët nazistë. Madje kishte miratuar një ligj që dënonte çdo person që mund të mohonte krimet e kryera nën regjimin nazist.

E në këtë pikë, mini-shengeni ka filluar mbrapsht. Shkaktarja kryesore e luftërave në Ballkan është Serbia, e cila, jo vetëm që nuk ka pranuar asnjë krim nga ato që ka kryer në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, por nuk ka kryer asnjë proces për të de-mitizuar dhe dënuar periudhën e Millosheviçit. Nuk ka njohur Kosovën dhe herë pas here, i hedh benzinë zjarrit si në rastin e Bosnjës. Ka nisur një fushatë për të tërhequr njohjet e pavarësisë apo ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës, në organizata ndërkombëtare si UNESCO dhe Interpol.

Ndërsa Gjermania, menjëherë pas luftës, ngrit Gjyqin e Nurembergut për të dënuar disa prej figurave më të larta të regjimit Nazistë. Serbisë ju deshën disa dekada, për të dorëzuar në duart e Tribunalit të Hagës, personazhe famëkeq si Mlladiç apo Karaxhiç.

Por, mini-shengeni ka filluar mbrapsht edhe për një arsye tjetër, jashtë procesit është lënë Kosova dhe Bosnja. Tirana zyrtare u shpreh se ishte e pakuptimtë se pse liderët e Kosovës, që dikur qenë ulur në tryeza në Bruksel me lidershipin Serbë, pse të mos uleshin edhe në Tiranë. Së pari, Tirana nuk është Brukseli. Bruskeli ka investuar qendra milionë euro në Kosovë, kurse Tirana zyrtare përveç ndonjë lobimi për më shumë njohje, nuk ka asnjë investim direkt. Në Bruksel, palët ulen pasi ai shikohet si nga Prishtina ashtu dhe nga Beogradi, si stacioni që të dyja dëshirojnë të mbërrijnë.

Tirana zyrtare ose ka harruar ose bën sikur ka harruar, se me çfarë statusi do ulej Kosova për të bërë një marrëveshje heqjesh kufijsh me Serbinë. Kur kjo e fundit, në kushtetutën e saj, e njeh Kosovën si pjesë të territorit të saj. Kjo do ishte njësoj, sikur në vitin 1985, Franca të mos e njihte pavarësinë e Belgjikës, por ndërkohë Holanda t’i bënte ftesë Belgjikës, për të hequr kufijtë me Francën. Çdo marrëveshje heqjesh kufijsh, duhet të ketë si elementë të parë, që çdo palë e ulur në bisedime, pavarësisht sipërfaqes apo popullsisë, të trajtohet e barabartë.

Të katër shtetet, që po kërkojnë të themelojnë mini-shengenin, kanë një popullsi së bashku, prej diku 15 milionë banorësh. E sigurisht, do të ishte një mundësi e mirë për të tërhequr disa investitorë të huaj, që do të shikonin një treg më të madhe dhe mundësi më shumë për investime e automatikisht do të rriste punësimin.

Deri më sot, nuk është publikuar asnjë plan se si do të jetë marrëdhënia e anëtarëve të mini-shengenit me Rusin. Rusia ka marrëveshje ekonomike dhe ushtarake me Serbinë. E ndërkohë Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, janë anëtare të NATO-s. Një kompozim gjeo-politikë e gjeo-startegjikë, që nuk ngjit.

A fshihet diçka tjetër mbrapa mini-shengenit?

Realisht, të katërta vendet janë shumë larg anëtarësimit në BE, vuajnë nga një korrupsion galopantë, në çdo sektorë. Kriza politike të brendshme dhe largim masivë të rinisë për arsye të papunësisë. Tentativat për të “kërcënuar” Brukselin me bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, nuk duket se patën rezultat së paku në Paris. E kështu të “padëshiruarit” e Brukselit, vendosën të krijojnë një klub të tyren. Serbia, ka problem me lirin e medias, nuk ka ndarje pushtetesh, është goditur nga një numër skandalesh si ai me shitjen e armëve në Ukrainë nën koston e prodhimit. E ku i përfshirë ishte vetë babi i Ministrit të Mbrojtjes. Maqedonia, është në një periudhë zgjedhjesh të parakohshme. Pasi ndryshoi emrin, nuk mori dritën jeshile në BE, ndodhet në udhëkryq. Mali i Zi, zgjedhjet e lira janë in-ekzistente. Gjunkanoviç, në rolin e Presidentit, me një kryeministër të emëruar nga ai personalisht, është një nga liderët më jetëgjatë në pushtet në Europë, pothuajse 30 vjet. Vetëm Presidenti i Bjellorusisë, mund ta rivalizojë në këtë garë. Shqipëria, ka një krizë politike, ku opozita ka dalë jashtë parlamentit, dhe nuk ka as gjykata. Ngritja e organeve të reja të gjyqësorit, jo vetëm po ecën shumë avash, po vështirë të ketë rezultate konkrete.

Ajo se çfarë i bën bashkë liderët e Ballkanit Perëndimorë, është se procesi integrimit në BE, ka ngecur në vend. Reformat që shpesh herë trumbetohen, janë thjesht në letër.

E së fundmi, Rama ka agravuar gjuhën me liderët e Kosovës. Që nga viti 2000, asnjë kryeministër i Shqipërisë, nuk është përplasur, kaq ashpër në mënyrë direkte, me drejtuesit politikë të Prishtinës. Tiranës zyrtare, i ka ngelur vetëm të tërheqë njohjen e Kosovës dhe t’i bashkohet grupimit “Kosova është Serbi”.

Më shumë se sa një marrëveshje vizionare europiane që përveç emrit, nuk ka asgjë tjetër, europiane në thelb. Është një lëvizje taktike e të “paaftëve” të Ballkanit, për të justifikuar dështimet e tyre, spektakolare në politikat e brendshme, që do të ishte përkthyer në integrim shumë kohë më parë në BE./gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: