Shoqëria Noa Control sh.p.k dhe shoqëria koncesionare Noa Isnpect kanë reaguar menjëherë pas sulmeve të bëra kundrejt tyre për ndikimin në rritjen e taksave të qytetarëve në sektorin e karburantit. Reagimi i këtyre shoqërive, vjen për të shmangur çdo paqartësi ndaj qytetarëve, e për të hedhur poshtë akuzat që u bënë sipas disa informacioneve të publikuara në media.

“Lajmi se Ministria e Financave, përmes Drejtorisë së Koncesioneve, ka nisur procedurat për të dyfishuar tarifën e kontrollit të pompave në stacionet e karburanteve nga 14 mijë lekë për pompë në vit që është aktualisht në 28 mijë lekë në vit nuk është aspak i vërtetë”, sipas shoqërive në fjalë.

Ja deklarata e plotë:

Deklaratë për Media Në vijim të informacionit të publikuar në media në lidhje me ndikimin e koncesionit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm në rritjen e çmimit të hidrokarbureve, shoqëria NOA Control sh.p.k dhe shoqëria koncesionare NOA Inspect sh.p.k, e vlerësojnë të rëndësishme dhe të nevojshme të sqarojnë situatën ndaj çdo qytetari apo pale të interesuar në Republikën e Shqipërisë, për të shmangur çdo paqartësi dhe konfuzion, si më poshtë vijon: Shoqëria Koncesionare NOA Inspect sh.p.k është zbatuese e Kontratës së Koncesionit nr. 15326 Prot., datë 21.08.2019 “Për shërbimin e kontrollit ligjor të Instrumenteve Matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm”, të lidhur mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe shoqërisë mëmë NOA Control sh.p.k.

Që prej datës 31 Mars 2020, pas verifikimit dhe miratimit të planit të investimit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Shoqëria Koncesionare kryen shërbimin objekt të Kontratës së Koncesionit, në të gjitha pikat karburanteve në Republikën e Shqipërisë , në përmbushje të të gjitha detyrimeve sipas legjislacionit në fuqi, detyrimeve kontraktuale si dhe në përputhje me standartet kombëtare dhe ndërkombëtare të Metrologjisë Ligjore (OIML). Shërbimi i kontrollit ligjor të instrumenteve matës, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm kryhet duke përdorur pajisjet më të mira matëse si dhe softëare të avancuar që mundësojnë kontroll në kohë reale të Shërbimit, për të garantuar një transparancë sa më të madhe për Shtetin Shqiptar, Subjektet e Detyruara si dhe Konsumatorin. Misioni i shoqërisë NOA Inspect sh.p.k që nga momenti i nënshkrimit të Kontratës së Koncesionit ka qënë dhe mbetet realizimi i shërbimit me përgjegjësi, profesionalizëm dhe me integritet në lartë, me qëllim përmirësimin e standarteve të kontrollit ligjor në fushën e hidrokarbureve si dhe mbrojtjen e konsumatorit final.

NOA Control sh.p.k dhe NOA Inspect sh.p.k, të vetëdijshme për detyrën e besuar nga Shteti Shqiptar, që prej datës 1 Korrik të vitit 2020 janë gjithashtu partner të kompanisë lider në Europë dhe e treta në botë në fushën e inspektimeve, DEKRA e.V (Deutscher Kraftfahrzeug Überëachungs-Verein e.V.), nga e cila marrin praktikat më të mirat të inspektimit. Këto praktika përveçse nga Shteti Shqiptar, kontrollohen dhe auditohen çdo vit edhe nga kompania DEKRA e.V për të qënë konform standarteve ndërkombëtare të vendosura. Lidhur me supozimin e medias në fjalë që Shoqëria Koncesionare NOA Inspect po dyfishon tarifën e kontrollit të pompave në stacionet e karburanteve, ju bëjmë me dije që ky supozim është tërësisht i pabazë. Stacionet e karburanteve deri në momentin e dhënies me koncesion të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse kanë paguar 6,000 Lekë për një verifikim të instrumentit matës, si dhe një tarifë tjetër që varionte në vlerat 8,000 – 14,000 Lekë për ofrimin e shërbimit të regjimit automatik. Këto tarifa janë lehtësisht të verifikueshme pranë Autoriteteve Përgjegjëse nga çdo entitet mediatik që është i interesuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: