Katër persona janë arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, në kuadër të një hetimi për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, ndërsa janë sekuestruar më shumë se 76 pasuri me një sipërfaqe totale prej 1143 hektarësh tokë, si dhe 150 mijë euro. Në pranga kanë rënë dy ish-drejtorë të ASHK-së Fier, një specialist jurist i këtij institucioni dhe personi që dyshohet se ka përfituar pronat.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për E.Sh. dhe B.K., në cilësinë e ish-drejtorëve të ASHK-së Fier, P.Ç., specialist dhe jurist pranë ASHK-së, si dhe K.H., përfituesi i pronave. Sipas Prokurorisë, hetimi është zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 1026 të vitit 2025, në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe përmes përdorimit të metodave proaktive.
Nga hetimet dyshohet se K.H. ka përdorur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier. Mbi bazën e këtyre dokumenteve, ai ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë një sipërfaqe prej rreth 1143 hektarësh në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, në Seman i Ri dhe Sheq Marinas. Më pas, sipas organit të akuzës, K.H. është paraqitur si bashkëpronar dhe përfaqësues i bashkëpronarëve të tjerë dhe, përmes një prokure të posaçme të dyshuar të falsifikuar, ua ka shitur tokën dy shoqërive të ndryshme. Prokuroria pretendon se ish-drejtorët e ASHK-së Fier, E.Sh. dhe B.K., së bashku me specialistin P.Ç., kanë regjistruar pasuritë në bashkëpronësi të K.H., në kundërshtim me legjislacionin për kadastrën dhe për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Arrestohen me kërkesë të Prokurorisë Fier për falsifikim dokumentesh e shpërdorim detyre, dy ish-drejtorë të ASHK-së, specialisti dhe përfituesi i pronës, sekuestrohen 1143 ha tokë
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier u vendos masa e sigurimit personal ‘Arrëst në burg’ ndaj katër shtetasve E.Sh., B.K. në cilësinë e drejtorëve të ASHK, P. Ç. specialistit, jurist, pranë ASHK dhe K.H., përfituesi i pronave nën akuzë për veprat penale ‘Falsifikim i dokumenteve’, ‘Shpërdorimi i detyrës’ si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 186/2, 248 dhe 287, prg.2, të Kodit Penal.
Po kështu, në kuadër të hetimeve u sekuestruan mbi 76 pasuri, me sipërfaqe totale prej 1143 hektarë tokë (e barabartë me njëmbëdhjetë milion e katërqind e tridhjetë e shtatë mijë e pesëdhjetë e gjashtë m2), si dhe 150.000 euro.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier gjatë hetimeve të deritanishme për procedimin penal nr. 1026 të vitit 2025, kryer në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nëpërmjet përdorimit edhe të metodave proaktive, arriti të provojë se:
Shtetasi K.H., duke paraqitur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë një sipërfaqe të konsiderueshme toke prej 1,143 hektarë të ndodhur në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, Seman i Ri dhe Sheq Marinas, Fier.
Më pas, ky shtetas, duke u paraqitur me cilësinë e bashkëpronarit dhe përfaqësuesit edhe të bashkëpronarëve të tjerë, me anë të një prokure të posaçme të falsifikuar, u ka shitur këtë tokë dy shoqërive të ndryshme.
Shtetasit E.Sh. dhe B.K., në cilësinë e drejtorëve të ASHK, Fier, dhe shtetasi P.Ç., në cilësinë e specialistit, jurist, pranë ASHK, Fier, kanë regjistruar pasuritë në fjalë në bashkëpronësi të shtetasit K.H., në kundërshtim me ligjin nr. 111/2018, “Për kadastrën”, dhe ligjin nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe VKM nr. 639, datë 16.10.2024, dhe Udhëzimin e Këshillit të Ministrave nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”, duke mos kërkuar sipas këtyre akteve ligjore/nënligjore konfirmimin e vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, verifikim nga i cili do të rezultonte se këto vendime janë të falsifikuara.
Për më tepër, ka rezultuar se shtetasi B. K., ish drejtor i ASHK, Fier, kur ka regjistruar pasurinë nr. 3**, zk 3358, ka tejkaluar edhe sipërfaqen që sipas vendimit të falsifikuar nr. 8*, datë 20.01.1997, të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pranë Këshillit të Rrethit Fier, i ishte kthyer ish-pronarit Th.S., duke përfituar për rrjedhojë shtetasi K.H. edhe një sipërfaqe tjetër të konsiderueshme toke në pronësi.
Gjithashtu, shtetasit E.SH. e P.Ç. gjatë regjistrimit të pasurive kanë ndryshuar zërin kadastral të sipërfaqes së regjistruar në pronësi të shtetasve K.H., etj, nga tokë arë në tokë pa frut, pa një akt administrativ nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Bujqësisë apo Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier.
Masat e sigurimit personal dhe pasuror u ekzekutuan nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë si të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
