Mjekët në Gaza i kanë shpëtuar jetën një foshnjeje duke e nxjerrë nga barku i së ëmës me operacion urgjent cesarian.

Nëna e foshnjës, Sabreen al-Sakani, ishte 30 javë shtatzënë kur shtëpia e saj u godit nga një sulm ajror. I shoqi, Shoukri dhe vajza e tyre trevjeçare, Malak, humbën jetën gjatë sulmit, por mjekët e spitalit Rafah shpëtuan jetën e foshnjës.

“Ne arritëm ta shpëtonim foshnjën. Nëna ishte në gjendje shumë kritike. Koka e saj ishte hapur dhe mund t’i shihej truri. Shpëtuam njërin nga të dy”, tha për Sky News Ahmad Fawzi al-Muqayyad, një mjek në spitalin në Rafah.

Të dielën, foshnja ndodhej në një inkubator në njësinë neonatale të spitalit. Etiketa rreth kyçit të dorës mbante emrin e nënës së saj të vdekur.

Foshnja do të qëndrojë në spital për tre deri në katër javë, tha Dr Mohammad Salama, kreu i njësisë, për agjencitë e lajmeve.

“Pas kësaj do të shohim nxjerrjen e saj nga spitali, dhe ku do të shkojë ky fëmijë, te familja, te tezja apo xhaxhai apo gjyshërit. Këtu është tragjedia më e madhe. Edhe nëse mbijeton ky fëmijë, ajo ka lindur jetim”, tha ai.

Gjyshja e foshnjës, Mirvat al-Sakani i tha Associated Press se ajo do të kujdesej për të.

“Ajo është një kujtim i babait të saj. Unë do të kujdesem për të. Me ta ishte edhe djali im. Trupi i tij është bërë copash dhe nuk e kemi gjetur ende. Ata nuk po bënin asgjë, pse i sulmojnë? Nuk po kuptojmë më asgjë”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: